Rikonstruksioni i kalldrëmeve

06/09/2014 00:00

Brenda këtij muaji pritet të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e 18 rrugëve me kalldrëm në qytetin e Gjirokastrës.

2500 metër katror kalldrëm do të rindërtohen në rrugën kryesore, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të gurtë, siç është ajo e Varoshit e dëmtuar së tepërmi  kohët e fundit.

Po kështu, rruga që të çon në shtëpinë e Ismail Kadaresë është duke u rikonstrukturuar në një sipërfaqe prej 950 metër katror. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, shpjegon se cilësia e rrugëve të brendshme të Gjirokastrës do të përmirësohet ndjeshëm falë dhjetra projekteve që tashmë janë gati.

“Për herë të parë pas 20 vjetësh pothuajse ka filluar puna në ribërjen e kalldrëmeve. Ndër vite Gjirokastra, edhe prej ndërhyrjes në infrastrukturën e Albtelekomit dhe kompanive të tjera, pati dëmtime të theksuara, kështu që gjatë kësaj periudhe janë planifikuar për t’u rindërtuar rreth 3500 metër katror kalldrëme. Ndërhyrje më të gjerë e të dukshme do të pësojë pjesa e lagjes Varosh në aksin kryesor të rrugës, dhe pjesa nga ky aks drejt shtëpisë së Kadaresë. Janë planifikuar 18 rrugë të Gjirokastrës të bëhen me kalldrëme. Një nga elementët e rëndësishëm që hyn më pas në trashëgiminë e qytetit të Gjirokastrës”, u shpreh Flamur Bime, kryetar i Bashkisë Gjirokastër.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërhyrja që do të bëhet në Sokakun e të marrëve, ku do të rikonstruktohet një sipërfaqe prej 250 metër katror shtresë pllakë guri.

Për herë të parë, që prej ndërtimit të kalldrëmeve në këtë hapësirë, specialistët kanë vendosur eliminimin e gurit të bardhë dhe rikonstruksionin e saj me gur të zi. Por këto ndërhyrje në rrugët e Gjirokastrës kanë shkaktuar debate mes specialistëve, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e mjeshtrave në Gjirokastër, por dhe me kriteret e ndërhyrjes.

Dega rajonale e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër sqaron se kalldrëmi ishte rindërtuar më parë gjatë viteve ’70, ndaj e ka humbur kohë më parë autenticitetin e tij dhe se bëhet fjalë për një rikonstruksion të zakonshëm.

Top Channel