Transferimi i studentëve

05/09/2014 00:00

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u ka kërkuar drejtuesve të universiteteve jopublike, që të lehtësojnë procedurat për regjistrimin e studentëve, që transferohen nga univeristete që u mbyllën, por ndërkohë të kontrollojnë imtësisht cilësinë e dosjeve të tyre.

“Jo vetëm për të mundësuar shansin e dytë të këtyre studentëve, por një shans i dytë pa ceduar nga cilësia e institucioneve të arsimit të lartë. Kjo do të thotë se ju keni ngritur padyshim komisionet për të drejtuar çdo dosje, për të trajtuar hap pas hapi mundësinë sipas dëshirës së tyre, ashtu sikurse një gjë të tillë po e bëjnë edhe institucionet e arsimit të lartë publik, për të mundësuar vijueshmërinë në ligjshmëri dhe në cilësi të institucioneve tuaja me një vëmendje të posaçme të rishikimit të të gjithë dosjeve, hap pas hapi, të çdo studenti që ka zgjedhur të vijojë të institucionet tuaja”, u shpreh ministrja Nikolla.

Nikolla u kujtoi drejtuesve të universiteteve, të cilat do të vijojnë mësimin për vitin akademik 2014-2015, se edhe këto do të kalojnë testin e akreditimin nga kompania britanike.

“Ne do të vijojmë me inspektime dhe monitorimet e realizimit të të gjithë detyrave nga ana juaj, ashtu sikurse shumë shpejt ne do të komunikojmë padyshim edhe për ecurinë që lidhet me procesin e akreditimit, pra verifikimit të cilësisë, nga agjencia britanike”, vijoi më tej ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë, një ditë më parë, Ministria e Arsimit publikoi dhe mbylljen e 13 shkollave jopublike të mesme.

Top Channel