Një numër i gjelbër kundër duhanit

05/09/2014 00:00

Nëse do ndodheni në një ambient të mbyllur dhe shikoni që një klient shkel ligjin duke konsumuar duhan, ju mund ta denconi me tekst, foto apo video personin dhe subjektin ku shkelet ligji në websajtin ‘Shqipëria jo duhanit’, ose në numrin e gjelbër 0800 40 40.

Në këtë numër qytetarët mund të denoncojnë edhe vetë subjektet kur konstatojnë se inspektorët favorizojnë subjekte të caktuara apo kërkojnë ryshfet.

Ky numër kontrollohet nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor. Ndërkohë që sot u mbodh grupimi i shoqërisë civile i cili kërkon zbatimin e ligjit anti-duhan dhe do të ndihmojë për këtë.

“Ne jemi mbledhur për të nisur një drejtim të ri, një opsion të ri për t’i bërë thirrje popullit që të shërojë një nga plagët më të rënda. Jo shumë herë vendimet e qeverisë dhe vullnetetet e shoqërisë shkojnë bashkë, por në këtë rast ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin”, deklaroi Zamir Dedei.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili vlerësoi këtë nisme të shoqërisë civile, theksoi se tashmë edhe vetë shoqëria është e gatshme për të zbatuar ligjin anti-duhan.

“Këtë përpjekje duhet ta bëjmë bashkarisht. Besoj se ekzistojnë, qoftë edhe të fjetura, dëshirat në shoqërinë shqiptare për të pranuar mjedise publike ku ndalohet duhanpirja. Gjithashtu duhet që këtë kërkesë e insistim ta përcjellim edhe tek rinia, sepse duhani është i dëmshëm”, tha Beqja.

Ndërkohë, Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në Tiranë ka ndëshkuar me gjobë 13 subjekte në kryeqytet, mes të cilave Ministrinë e Arsimit dhe QKR-në me nga 300 mijë lekë, për shkak se nuk kishin vendosur rregullore dhe personin përgjegjës për zabtimin e ligjit anti-duhan.

Top Channel