Kërkohet treg për patatet

05/09/2014 00:00

Fermerët e Shishtavecit janë duke mbledhur prodhimet e tyre të patateve. Çdo vit ata kanë vuajtur nga mungesa e tregut të shitjes dhe patatet janë përdorur kryesisht për përdorim familjar për bagëtitë dhe një sasi e madhe ka ikur dëm.

Fermerët thonë se përballen me një sërë problematikash të cilat kanë të bëjnë me farërat e paliçencuara, pesticidet e pakontrolluara e deri tek ajo çka është edhe më kryesorja, mungesa e tregut.

“Problemet e zonës i kemi prej kohësh. Kemi farën kryesisht, ujitjen dhe nevojën për plehëra kimike”, shprehet një kultivues.

Për këtë projekt, që realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në bashkëpunim dhe me prefektin e Kukësit dhe organizma të tjerë kanë bërë edhe takime me banorët dhe drejtuesit vendorë, në mënyrë që patatja bio të ketë mundësi më të mëdha të daljes në treg.

“Ne kemi biseduar me ambasadorin dhe kemi projekt për mbledhjen e patates bio. Nëse do ta realizojmë me sukses këtë ju do keni të zgjidhur problemin e tregut. Ne do kontrollojmë edhe farmacitë për farat, në mënyrë që ju t’i merrni ato të çertifikuara”, deklaroi prefekti Safet Gjici.

Në qarkun e Kukësit këtë vit janë mbjellë me patate 554 hektarë tokë dhe pritet që prodhimi të arrijë në rreth 12 mijë tonë.

Top Channel