Shkumbini, lumi i mbeturinave

03/09/2014 00:00

Lumi Shkumbin, 181 kilometra i gjatë, buron në malin e Valamarës me ujra të kristalta dhe të pandotura. Por, gjithçka ndryshon në grykëderdhjen në detin Adriatik, ku mbeturinat dhe ujrat e zeza po shkatërrojnë gjithçka.

“Lumi Shkumbin është një nga lumenjtë më të ndotur në vend dhe shkak kryesor i kësaj gjendjeje janë shkarkimet e ujrave të zeza. Çdo ditë, në këtë lumë shkarkohen rreth 10 mijë m3 ujra të zeza”.

Në lumin Shkumbin shkarkohen ujrat urbane të Bashkive të Prrenjasit, Librazhdit, Elbasanit, Cerrikut e Peqinit. Gjithashtu, po këtu, shkarkojnë ujrat e zeza edhe Komunat Rrajcë, tri fshatra të Komunës Qukës, Komuna Hotolisht, Komuna Qendër, Komuna Bradashesh, e më tej Rrogozhina dhe fshatra të tjera të Lushnjes, që ndodhen në anë të tij.

Ambientalistët shprehen se gjendja paraqitet mjaft e rëndë për shkak se ujërat e lumit Shkumbin përdoren edhe për vaditjen e tokave bujqësore. Në asnjë zonë nuk ekzistojnë impiante për pastrimin e ujërave të zeza.

Por, lumi Shkumbin nuk ndotet vetëm nga shkarkimet urbane. Rrjedhjet nga vendgrumbullimet e mbetjeve urbane dhe shkarkimet industriale janë gjithashtu ndotës të rrezikshëm. Por, siç ndodh rëndom në monitorimet e kryera, gjithçka rezulton brenda normave, duke gënjyer inteligjencën qytetare, për atë çka shihet me sy të lirë.

“Lumi Shkumbin nuk është i ndotur në të gjithë gjatësinë e tij. Përpara se të përshkojë qytetin e Librazhdit, këto ujra rrjedhin të pastra dhe kjo është një zonë ku mund të peshkohet, madje në disa vende përdoret edhe për plazh”.

Ndërsa situata në grykëderdhje është e rëndë. Përveç mbeturinave urbane, që deti i ka nxjerrë një pjesë në breg, në Adriatik Shkumbini shkarkon dhjetra mijë metër kub ujra të zeza, ndërsa në shtratin e detit është krijuar një shtresë mbetjesh.

Situata është alarmante dhe e pashpresë, sepse asnjë nga qytetet apo fshatrat që shkarkojnë në këtë lumë nuk ka ndonjë projekt për pastrimin e ujrave të zeza, apo menaxhimin e mbeturinave urbane.

Top Channel