“Samsung”-u asiston arsimin dhe shëndetësinë

03/09/2014 00:00

Kompania prestigjioze në fushën e teknologjisë dhe komunikacionit “Samsung” do të investojë në shkollat shqiptare. Përfaqësuesi i saj, Daniel Bacelic, drejtor i divizionit të bizneseve, vizitoi sot Shqipërinë për të parë nga afër mundësinë e investimit në vendin tonë.

Ai u takua me ministren e Inovacionit Milena Harito dhe me ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Zoti Bacelic tha se “Samsung”-u po lufton tregun informal në Shqipëri në një sërë formash për të sjellë pranë klientëve produktet origjinale me çmimet më të mira.

“Ne jemi angazhuar të sjellim shërbimet dhe produktet më të mira për klientët tanë. Ne zgjodhëm me kujdes kanalet e depërtimit në Shqipëri përmes partnerëve tanë në treg të cilët janë të certifikuar që të shpërndajnë produktet dhe shërbimet tona origjinale. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se të gjitha produktet që vijnë shoqërohen me certifikatë garancie, madje edhe me udhëzime në gjuhën shqipe. Kjo është mënyra sesi ne po përpiqemi të mbrojmë tregun, pa harruar edhe çmimet më të mira që ne ofrojmë”, shpjegon zoti Bacelic.

Më tej, ai sqaroi rrugën që po ndiqet për të arritur këto qëllime: “Po bashkëpunojmë me një numër të madh partnerësh në Shqipëri.”

I pyetur për planet e ardhshme të investimit në vendin tonë, zoti Bacelic përgjigjet: “Jemi një kompani agresive përsa i përket investimit. Jemi këtu për të mbështetur klientët tanë, më së shumti po kujdesemi për fushën e edukimit dhe shëndetësisë. Mendojmë se edukimi është shumë i rëndësishëm dhe ne ofrojmë shumë zgjidhje në këtë fushë. Kemi investuar tashmë në shkollën “Cajupi”, por po punojmë ngushtë me qeverinë për të implementuar strukturën e IT-së në shkolla dhe si të zhvillohen njohuritë e mësuesve në këtë drejtim.”

Top Channel