Veliaj për arsimin profesional

02/09/2014 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka kërkuar drejtuesve të shkollave profesionale të ndikojnë në komunitet për të rritur numrin e nxënësve, që të frekuentojnë këto shkolla në mënyrë që diplomat e tyre të përshtaten me kërkesat e tregut.

“Detyra e parë, që kemi të gjithë, është që minimalisht të kemi 10% më shumë regjistrime në secilën shkollë, në mënyrë që secili ta ketë rezultatin e matshëm. Nuk po them që të thyeni këto dy rekorde që përmenda, por po them 10%, është më se e mundshme dhe njerëzore. Kjo kërkon vetëm angazhim dhe përpjekje në komunitetet tuaja. Në qoftë se ne, realisht u themi njerëzve që, nëse nuk duan të punojnë nëpër fasoneri apo ‘call center’, atëherë vendos tani për të ardhmen e fëmijës tënd. Do të duhet të mësojë IT, kimi industriale apo ushqimore, teknologji informacioni, pra duhet të ndajmë mendjen sot, se cilat janë punët e së ardhmes”, u shpreh ministri Erion Veliaj.

Veliaj theksoi se po jepen leje pune për të huajt, për shkak të mungesës së teknikëve, hidraulikëve, mekanikëve dhe zanateve të tjera.

“Unë nuk shoh asnjë arsye, se përse kjo Ministri duhet të vazhdojë të japë leje pune për teknikë turq, sepse ne sot s’kemi teknikë të mirëfilltë ndërtimi për ato specifikime që kërkojnë shumë prej investimeve të mëdha që po bëhen në vend: hidrocentrale, rrugë e të tjera të kësaj natyre. Ne nuk i kemi dhe kur nuk paraqitet askush për t’u rekrutuar në aplikimet në këto kompani, atëherë ne detyrohemi që të lëshojmë leje pune për të huajt”, deklaroi ministri i Mirëqenies Sociale, Veliaj.

Në vend numërohen rreth 50 shkolla profesionale, ndërkohë që Veliaj tha se do të shikohet dhe cilësia e tyre, pasi nuk do të lejohet që në shkolla profesionale të japin mësim, mësues që nuk u përshtatet diploma e tyre me profilin e shkollës.

Top Channel