Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, është e pranishme në punimet e “Forumit Strategjik” të mbajtur në Bled të Sllovenisë, i cili është një ndër forumeve më të rëndësishme në Europë lidhur me diskutimin e strategjive për zhvillimin e mëtejshëm të vendeve.

Gjatë këtij Forumi, ministrja Gjermeni zhvilloi një sërë takimesh ku mori propozime konkrete bashkëpunimi në fushën e turizmit nga drejtori i “Qendrës Ndërkombëtare për Promovimin e Ndërmarrjeve”, Janezc Podobnik. Me Podobonikun ministrja bisedoi edhe për modelin e bashkëpunimit publik-privat si edhe për efiçencën e energjisë në banesa.

Në çeljen e Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, Gjermeni theksoi se “vetëm po të besojmë tek njeri-tjetri mund të arrijmë një bashkëpunim të suksesshëm”. Gjatë fjalës së mbajtur ajo vuri theksin se duhet të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të rritet niveli i besimit.

Gjatë këtij forumi, ministrja Gjermeni hodhi dhe idenë se duhet propozuar turizmi rajonal duke bashkuar eksperiencat e vendeve tona. Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për televizionin kombëtar të Sllovenisë, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit vlerësoi marrëdhëniet mes vendeve të rajonit si dhe foli mbi krijimin e produktit të përbashkët turistik, paketave rajonale, si një mundësi për promovimin sa më të mirë të vlerave natyrore dhe kulturore që na bashkojnë.

Ndërkohë, ministrja Gjermeni në një lidhje telefonike foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” mbi forumin dhe mbi propozimin për të pasur një turizëm rajonal.

Pandi Gjata: Çfarë solli ky forum në atë që ju propozuat për të patur një turizëm rajonal në këtë samit të Sllovenisë?

Eglantina Gjermeni: Doja ta vlerësoja forumin që u zhvillua në Bled të Sllovenisë, i cili zhvillohet për herë të nëntë radhazi dhe për herë të parë këtë vit u diskutua për turizëm. Forumi ishte i fokusuar në besimin e vendeve të rajonit, çfarë roli ka besimi në zhvillimin rajonal dhe në mënyra të veçantë si mund të ndihmojë besimi në zhvillimin e turizmit. Duke qenë se shumë vende kanë kaluar histori të ngjashme ose në gjëra të përbashkëta dhe nga ana tjetër ndajmë një vizion të përbashkët për integrimin europian. Mendoj që ky forum për zhvillimin e turizmit ishte një hap i rëndësishëm për të nxitur një bashkëpunim më të mirë në rajon, jo thjesht për të promovuar rajon në botë, por për të promovuar produktet për të cilat rajoni ynë dallon.

Pandi Gjata: Ky forum vjen edhe pas takimit të Berlinit për një kapitull të ri mes vendeve të Ballkanit. Si mund të arrihet te një produkt i përbashkët turistik?

Eglantina Gjermeni: Aty u diskutua në mënyrë të veçantë për turizmin. Në projektin rajonal të prezantuar nga përfaqësuesi i rajonit dhe Kryeministri Rama Një nga 4 fushat kryesore ishte turizmi. Ky forum në Slloveni përçoi më tej këtë frymë që turizmi mund të jetë një nga fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, i cili mund ta çojë rajonin tonë më tej. Secili nga vendet tona ka një specifikë të veçantë. Për shembull Kroacia është një superfuqi në turizëm, Mali i Zi dallon për investimet në turizëm. Secili nga vendet tona ka një specifikë dhe u vlerësua gjithë kjo përvojë pozitive nga e cila duhet të përfitojë gjithë rajoni. Projektet e përbashkëta mes nesh është një nga mënyrat se si ne mund të paraqitemi në tregun botëror. Ne kemi përvoja pozitive me Kosovën, Maqedoninë. Projekte të tjera me vende anëtarë të Bashkimit Europian është një model pozitiv, i cili duhet vazhduar. Pjesë e këtij projekti të madh është edhe Shqipëria. Ideja që hodha unë është që secili nga vendet ka një slogan, një logo, ka një strategji promovimi të vetën për produkte specifike. Kjo do të ruaj identitetin e secilit vend, e cila do të shërbente si një mjet më tërheqës për turistët në të gjithë vendet e Europës. Produktet rajonale do të jenë një gjë e veçantë që rajoni jonë mund të ofrojë në tregun botëror . Kjo ide u mirëprit dhe u mbështet edhe nga kolegë të tjerë. Përvoja dhe modele të tilla ka edhe në botë, pse jo rajoni jonë i ka të gjitha potencialet për të bërë një gjë të tillë.

Top Channel