Sëmundjet e rënda, ilaçet jo vetëm në Tiranë

01/09/2014 00:00

Pacientët me insufiçiencë renale kronike që trajtohen me dializë, të sëmurët me hepatit dhe pacientët talasemikë të cilëve deri dje u duhej të udhëtonin në Tiranë pasi vetëm këtu mund të merrnin ilaçet me të cilat trajtohen, tashmë do t’i kenë ato në spiatalet rajonale të rrethit të tyre.

Bëhet fjalë për mbi 1.300 pacientë, të cilët trajtohen me medikamente të kushtueshme si barnat deferiprone dhe deferasirox, që përdorin pacientët talasemikë.

“Këta të fundit, që janë më të përqendruar në Lushnje, do t’i marrin barnat pranë spitalit të Lushnjes, ndonëse nuk është spital rajonal. Për dy grupet e tjera janë rreth 275 pacientë që trajtohen me këto barna, 110 janë në Tiranë, ndërsa të tjerët nuk do vijnë në Tiranë por do t’i marrin barnat në spitalet rajonale. Edhe ata që marrin shërbimin e dializës do t’i marrin ato në spitalet rajonale”, deklaron ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ministri Beqaj theksoi se janë furnizuar spiatelt rajone me këto medikamente me qëllim për t’u hequr këtë barrë administrative këtyre pacientëve.

“Ka qenë një vendim i marrë prej kohësh që një pjesë e barnave të kushtueshme të mos shpërndaheshin nga rrjeti i farmacive, por të ishin pranë shërbimit spitalor. Kanë qenë të përqendruara pranë QSUT-së, por ne mendojmë se janë mundësitë që të jenë të pranishme edhe në spitalet rajonale”, shqton Beqaj.

Në këtë grup pacientësh, një numër i konsiderueshëm janë në Tiranë dhe medikamentet e tyre mund t’i marrin pranë farmacisë së QSUT-së.

Top Channel