Bujqësi, barazohet TVSH-ja në shitje dhe në blerje

01/09/2014 00:00

Sot ka hyrë në fuqi vendimi që barazon TVSH-në në shitje dhe në blerje për prodhimet bujqësore.

Për këtë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë një takimi me
përfaqësues të shoqatave të fermerëve, kërkoi që ata të pajisen me
faturat tatimore të shitjes për çdo transaksion që bëjnë, pasi tani nuk
ka më asnjë arsye pse të penalizohen.

Që nga ky moment, prodhimet bujqësore shqiptare, tha Panariti, tregtohen, eksportohen dhe grumbullohen me 14% më pak të kostos, gjë që i vendos ata në një konkurencë të lirë dhe të ndershme me prodhimet e importuara.

Sipas ministrit, “kjo është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme lehtësuese fiskale për prodhimet bujqësore, që u shkon direkt si përfitim prodhuesve, agropërpunuesve, grumbulluesve, shpërndarësve dhe eksportuesve”.

Tashmë, theksoi Panariti, pas heqjes së TVSH-së do të rritet numri i sipërmarrjeve që do të regjistrohen duke i dhënë fizionominë europiane bujqësisë shqiptare.  

Ministri Panariti deklaroi se eksportet bujqësore u rritën me 10% deri në fund të muajit qershor në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Top Channel