Koalicioni kundër Gjykatës Kushtetuese

26/08/2014 00:00

Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma akuzon Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vendim të njëanshëm politik për kushtetueshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari  i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se vendimi dukej sikur të ishte shkruar në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas një takimi me kreun e LDK-së dhe të Nismës, Haradinaj megjithatë tha se do ta pranojnë vendimin me shpresën se e drejta e PDK-së përfundon me nominimin e kandidatit për kryetar kuvendi.

Konsiderohet detyrë e bllokut si shumicë parlamentare, siç deklaron Haradinaj të ofrojnë zgjidhje ashtu siç parasheh edhe pika 126 127 e vendimit për detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e kuvendit.

“Ne do t’i ofrojmë Parlamentit zgjidhje. Ne e kemi edhe kandidatin për kryetar, gjithashtu ne kemi edhe votat. Ne presim që të konsumohet kandidatura e PDK-së që t’i japim zgjidhje ndërtimit të institucioneve, duke filluar nga Parlamenti”, deklaroi Haradinaj.

Një çështje për të cilën tri subjektet nuk e kanë definuar si do të reagojnë është kuorumi që duhet t’ia krijojnë PDK-së gjatë nominimit të kandidatit për kryetar Kuvendi, ashtu siç parashihet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do të vendosim për modalitetet e seancës. Ne jemi unik në votë së bashku edhe me partnerë të tjerë. Do të konsultohemi edhe me Vetëvendosjen për seancën. Asgjë nuk ka ndryshuar”, u shpreh kryetari i AAK-së

Blloku po kështu vendosi t’i përgjigjet negativisht thirrjes së kreut të PDK-së, Hashim Thaçi për bashkëpunim në krijimin e institucioneve. Haradinaj tha se nuk do pranojnë kompromise me PDK-në dhe paralajmëroi vazhdim konsultash me Vetëvendosjen.

“Për zgjedhjen e kryeparlamentarit, koalicioni rikonfirmon, nuk do të negociojmë në asnjë mënyrë më PDK-në”, shtoi Haradinaj.

Më e ashpër në vlerësimin e vendimit të gjykatës ishte lëvizja Vetëvendosje. Kapja e shtetit ka marrë formë legjislative të paprecedent thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA