Lewis Hamilton nuk e fsheh zhgënjimin e tij për kontaktin që pati me shokun e skuderisë Mercedes.
“Po më del tym nga koka! Nuk është një moment i lehtë, por kështu e kanë garat. Ajo që ndodhi e bëri Botërorin tim më të vështirë. Është zhgënjyese, për mua dhe për ekipin tim, që po punon shumë në çdo garë. Mund të kishim marrë dy vendet e para, por Nico bëri një gabim të çmendur. Nuk ka kuptim, s’ishte një veprim i bukur. Makina u dëmtua, sa që nuk mund të parakaloja as Grosjean…”, ishin fjalët e para të Hamilton.
E megjithatë, britaniku ngushëllohet duke e mbyllur me: “Çdo moment të vështirë, ekipi më jepte zemër duke më thënë se ‘mund t’ia dalim mbanë, do të provojmë sërish në garën e radhës’. Jam në duart e tyre tashmë, nuk di ç’të them më shumë. Pas përplasjes kisha shumë probleme, dhashë maksimumin, por nuk mundesha të fitoja ndaj askujt”.
Ndërkohë, i ndërgjegjshëm se kishte reaguar jo në mënyrë të kënaqshme, në konferencën për shtyp, Nico Rosberg u shpreh: “Për të qenë i sinqertë, në pozicionin tim duhet të mos e komentoj fare kontaktin, sepse nuk e kam parë ende në televizion manovrën. Dua ta shoh dhe më pas të analizojmë me ekipin se cili duhej të ishte pozicioni i secilit prej nesh. Megjithatë, është zhgënjyese sa i përket aspektit ekipor, sepse mund të kishim bërë më mirë. Kjo edhe për faktin se makinat tona ishin speciale në këtë fundjavë”.
I intervistuar më pas në bokse, gjermani vetëmbrohet: “Vërshëllimat në podium? Të paktë ishin ata të pakënaqurit, ndoshta fansat anglezë. I kuptoj shumë mirë që janë të zhgënjyer, nuk ishte veprim i bukur, por respektoj opinionin e gjithsecilit. S’e kuptoj ende këtë reagim, kontakti nuk është hetuar ende, duhet të njihet rregullorja për të gjykuar mbi atë incident. Nga këndvështrimi im nuk ishte parakalim i sforcuar, isha më i shpejtë dhe provova të parakaloja nga jashtë, por ndodhi kontakti”.
Top Channel