Tregu i librit në Shqipëri vuan pasojat e informalitetit dhe piraterisë. Përfaqësues të disa shtëpive botuese tregojnë se, edhe pse implementimi i ligjit për të drejtat e autorit ka nisur të zbatohet, ka ende shumë punë për të bërë, pasi riprodhimi i librave – të hedhura në treg nga botues, që nuk i respektojnë kontratat – është shumë i përhapur.
“Me kalimin e viteve ka ardhur duke u përmirësuar, por nuk është zgjidhur përfundimisht. Një nga gjërat kryesore, të cilën na e kërkon edhe Europa, është respektimi i të drejtës së autorit, nga më të rëndësishmet. Këtë gjë duhet ta respektojmë ne botuesit me njëri-tjetrin, e pastaj në raport me autorët tanë. Ka ende autorë të mëdhenj, të cilët botohen pa të drejtën e autorit në Shqipëri. Pa dashur të përmend emra, botuesit i dinë vet ato libra që i kanë botuar pa kontrata. Por, është një çështje shumë e rëndësishme dhe që duhet zgjidhur, përndryshe shkakton dëm ekonomik shumë të madh, sigurisht edhe cënim të së drejtës intelektuale, nga e cila dëmtohen shumë autorët”, u shpreh Arlinda Dudaj, Shtëpia Botuese “Dudaj”.
“Duhet të fuqizohet më shumë ligji sa i përket të drejtave të autorit, i cili ekziston në Shqipëri, është sipas standardeve europiane, por zbatimi i tij, gjatë vënies në jetë të tij ka pasur probleme këto vite. Mendoj që zyra e të drejtave të autorit duhet të funksionojë edhe më mirë, sa i përket punës së saj në terren. Duhet të operojë duke i kontrolluar shtëpitë botuese, duke kontrolluar pasaportën e çdo libri, e duke kontrolluar edhe tregun e librit, pasi moskontrolli i këtij tregu ka sjellë një situatë kaotike, madje duke futur botuesit dhe autorët shpesh herë në konflikt mes tyre”, deklaroi Alda Bardhyli, Shtëpia Botuese “Saras”.
Një shtëpi botuese mund ta rishtypë disa herë një libër, edhe pse autorët nuk paguhen, pasi ky treg është shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Në këtë prizëm kërkohet që institucionet zyrtare të zbatojnë më me rigorozitet ligjin.
“Botuesi boton kopjet e para që ka në kontratë, e më pas vazhdon ta shesë librin e ta shumëfishojë pa dijeninë e autorit, kjo për të mos e paguar atë. Ky është një fakt që ekziston në Shqipëri dhe që duhet korigjuar, sepse është shumë e pandershme edhe ndaj autorit”, theksoi më tej Arlinda Dudaj.
Në zyrën shqiptare të së drejtës së autorit ndodhen dhjetra dosje, ku është kërkuar ndalja e piraterisë dhe zhdukja e informalitetit.
Top Channel