Superiorja, Skënderbeu e nis me fitore

23/08/2014 00:00

Ka startuar kampionati i 76-të kombëtar i kategorisë Superiore, me ndeshjen e parë, atë të kampionëve në fuqi të Skënderbeut me Elbasanin, skuadër e sapongjitur në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar.

Ishte Fatjon Sefa, sulmuesi i ri i korçarëve, ai që zhbllokoi këtë ndeshje që në minutën e nëntë, duke u bërë edhe autori i golit të parë të kampionatit. Me këtë rezultat 1-0 përfundoi ky takim, pavarësisht rasteve që patën të dyja skuadrat për të shënuar.

Trepikëshin e parë e ka marrë në javën e parë të Superiores edhe Flamurtari, i cili fitoi në shtëpinë e tij 2-1 përballë Teutës.

Abilaliaj ishte autori i golit të parë për skuadrën e Gjokës, ndërkohë që ish-sulmuesi bardheblu Gilberto Fortunato ndëshkoi për të dytën herë durrsakët në pjesën e parë. Me fillimin e pjesës së dytë Shabani ngushtoi shifrat e takimit, por vetëm kaq.

Flamurtari me blerjet dhe bujën e madhe të merkatos së verës, duket të jetë i dënuar të fitojë përballë kujtdo, por pavarësisht fitores, loja e vlonjatëve ende nuk është në nivelin maksimal. Gjithsesi, për ta ka filluar me fitore ky kampionat, duke hedhur pas krahëve humbjen e finales së Superkupës, pak ditë më parë përballë Skënderbeut.

Ditën e diel do të luhen edhe ndeshjet e tjera të javës së parë të Superiores; Laçi-Partizani, Tirana-Apolonia dhe Vllaznia-Kukësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA