Tirana përgatitet për vizitën e Papës

16/08/2014 00:00

Mbi 1 mijë gazetarë por edhe pelegrinë pritet të vijnë në shtator në Shqipëri, për të qenë pjesë e vizitës historike të Papa Françeskut.

Ati i shenjtë ka përzgjedhur Shqipërinë si vendin e parë nga ku do të nisë turi i tij në rajon, ndaj Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës ka nisur restaurimin e disa objekteve por edhe të sheshit Nënë Tereza.

“Vetë Papa do vijë me rreth 70 gazetarë në avionin e tij, por pritet të kemi dhe rreth 1 mijë gazetarë të huaj që po akreditohen për të qenë atë ditë prezent në Shqipëri. Do jetë një rast i mirë për të përcjellë atë çka Papa Françesku e përcolli në qershor kur zgjodhi Shqipërinë për të nisur turin e tij, si një vend me kulturë që meriton vëmendjen e Evropës dhe histori”, ka deklaruar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se më 10 shtator të gjitha fasadat e objekteve do të jenë pastruar dhe do të ketë përfunduar restaurimi i shkallëve dhe trotuarëve.

Qeveria ka miratuar një fond prej 1 milionë dollarësh për përfundimin e këtyre punimeve, ndërsa bashkia ka dhënë një fond prej 10 mijë dollarësh për restaurimin dhe ndriçimin e sheshit ku ndodhedhej shatërvani.

“Qeveria për ndërhyrjet që ka marrë përsipër si pastrimi i fasadave në sheshin Nënë Tereza, në Pallatin e Kongreseve dhe në Muzeun Historik Kombëtar ka nxjerrë një fond prej 1 milion dollarësh, ku nuk përfshihet pjesa e restaurimit të shatërvanit, që do të bëhet nga bashkia”, ka saktësuar Kumbaro.

Java para se të vijë ati i shenjtë, Papa Françesku do të jetë i mbushur me aktivitete të cilat po organizohen në detaje nga Ministria e Kulturës, të cilës në këto ditë gushti dhe pushimesh i duhet të punojë me ritme të larta.

Top Channel