Të konsideruara si mjete argëtimi në det për të rinjtë dhe moshën e mesme, motorët e ujit vazhdojnë të mbeten një shqetësim real për pjesën më të madhe të pushuesve, veçanërisht ata familjarë.
Mungesa e kontrolleve nga strukturat përgjegjëse për respektimin e distancave të qarkullimit në det ka bërë që pushuesit të ndihen të rrezikuar nga këto mjete argëtimi.
Motorët futen mes për mes pushuesve duke shkaktuar shqetësim dhe pasiguri, kryesisht për fëmijët. Garat e shpejtësisë mes tyre zhvillohen edhe në zonat detare ku është vendosur këtë sezon sinjalistika që kufizon hapësirën për larjen e pushuesve.
Prej të paktën 2 vitesh është deklaruar dhe kërkuar që përgjatë të gjithë vijës bregdetare, njësitë vendore të përcaktojnë në mënyrë të dukshme vendbazimet dhe korridoret e hyrje-daljes së motorëve dhe mjeteve të tjera lundruese nga deti, si dhe të respektohet distanca e ushtrimit të lundrimit për këto mjete.
Por ende situata paraqitet problematike, ndërsa pushuesit kërkojnë siguri dhe pushime të qeta buzë Adriatikut.
Top Channel