Martirët e Otrantos dhe qëndresa arbërore

12/08/2014 00:00

Nga Dorian Koçi – Pushtimet në Mesjetë ishin aventura të guximshme që shfaqeshin  papritur e papandehur në horizontet e qyteteve dhe shteteve, jo vetëm me qëllimin për t’i përfshirë brenda entitetit të vet politik, por edhe thjesht për të pasur një ngjarje më tepër në marshimin e trupave. Logjika shpeshherë të shtyn të mendosh kur analizon ekspedita ushtarake që para se të pushtohej një vend tjetër duhej të paktën të administroje tokat që sapo kishe pushtuar ose të siguroje mirë edhe tokat e reja që do pushtoje.

Në rastin e Italisë, afërsia me Arbërinë që osmanët nënshtruan pas marrjes së Krujës dhe Shkodrës në 1478-1479 rezultonte të ishte me fat, sepse një pengesë natyrore si Adriatiku bënte të mundur që përpjekja osmane të mos ishte e lehtë dhe brigjet e Adriatikut Lindor ende nuk ishin qetësuar deri në atë fare mase sa osmanët të ndiheshin shumë të sigurt për të ndërmarrë një aksion ushtarak drejt Italisë.

Mirëpo jo gjithmonë planet e vështira braktisen. Otomanët mund të mos kishin shpirtin e aventurës për të zbuluar toka të reja, por si hordhi nomade që ishin kishin ndjesinë e pushtimit të hapësirave pafund. Ata nuk lodheshin për të shpenzuar energji drejt së panjohurës, por çapiteshin pas zotërimeve të Sinjorisë së Vjetër-Venedikut.

Më 28 korrik 1480, një flotë osmane prej 128 anijesh nga të cilat 28 ishin galera, mbërritën në afërsi të qytetit napolitan të Otrantos në rajonin e Pulias. Askush nuk dinte se nëse ishte një ekspeditë e organizuar kundër brigjeve italiane apo një kthim i trupave që vinin nga rrethimi i Rodosit. Më 29 korrik garnizoni dhe qytetarët u tërhoqën në kështjellën e Otrantos për të bërë rezistencë. Mirëpo, pavarësisht qëndresës së tyre, më 11 gusht fortesa u pushtua nga otomanët.

Sipas historiografisë kristiane një bastisje dhe ndjekje u organizua për të mbledhur të gjithë qytetarët meshkuj. Vdekja dhe terrori u mbollën ngado. Kryepeshkopi Stefano Agricoli dhe të tjerët u vranë në katedrale, ndërsa peshkopi Stefan Pendinelli dhe komandanti i garnizonit, konti Francesko Largo, u sharruan të dy të gjallë.

Më 12 gusht, 800 qytetarë të cilët refuzuan të konvertohen në Islam i morën zvarrë deri në kodrën e Minervës dhe aty u prenë kokat pa mëshirë. Këto 813 viktima u shpallën si shenjtorë të Kishës Katolike pas më shumë se pesë shekujsh nga Papa Frencesku I, në 12 maj 2013. Disa eshtra të 800 martirëve të besimit ruhen sot në katedralen e Otrantos dhe në kishën e Shën Katerinës Formiello në Napoli. Katedralja pretendohet se u përdor si një stallë gjatë pushtimit të shkurtër.

Gjithsesi, ky version ka hasur kritika të forta nga ana e historiografisë turke, që pretendon që eshtrat e gjetura dhe që ruhen në katedrale janë të luftëtarëve të rënë në luftë për mbrojtjen e Kështjellës dhe jo të atyre që u ekzekutuan, sepse nuk pranuan të konvertohen në Islam. Nga ana tjetër studiuesit italianë, konkludojnë se disa akte të terrorit janë kryer nga pushtuesit otomanë për të mbjellë panik në mesin e popullsisë italiane të Otrantos që deri atëherë vetëm sa kishte dëgjuar për osmanët dhe ashpërsinë e tyre në luftë nga refugjatët që vinin nga bregu lindor i Adriatikut.

Në gusht, 70 anijet e flotës sulmuan qytetin e Viestes. Më 12 shtator u sulmua Manastiri i San Nicola di Casole, në të cilin gjendej një nga bibliotekat më të pasura të Europës. Për fat të keq e gjithë kjo bibliotekë u plaçkit dhe u shkatërrua. Në tetor 1480, u sulmuan qytetet bregdetare të Tarantos, Leçes dhe Brindisit. Mirëpo ekspedita shkatërrimtare dhe frikëndjellëse për fat të mirë nuk vazhdoi gjatë. Për shkak të mungesës së ushqimit, Gedik Ahmed Pasha, veziri i madh vendosi për t’u kthyer me shumicën e trupave të tij në Shqipëri, duke lënë një garnizon prej 800 këmbësorësh dhe 500 trupa kalorësie prapa, për të mbrojtur Otranton.

Për të pasur një ide më tepër sesi vepronin osmanët kur kryenin inkursione pushtimi në një vend mjafton të lexosh Kronikat e Tursun Beut, një burim osman që në shumtën e rasteve konfirmon tablotë retrospektive që na kanë ardhur deri në ditët e sotme përmes frazeologjisë popullore shqiptare të mbledhur e botuar nga Frang Bardhi, se ku shkel “Turku nuk mbin bari” apo dhe veprave të humanistëve europianë.

Kronikat osmane të Tosun Beut konfirmojnë sulmin e Gjedik Ahmet Pashës ndaj Puljes ku si rezultat në mënyrë lakonike ai e mbyll përshkrimin duke thënë se “vendet e kultit të idhujve (krishtera) u kthyen në xhami islame”. Besohej gjerësisht se ai do të kthehej pas dimrit, por ylli i tij perëndoi ashtu, si dhe i zotit të tij Sulltan Mehmetit të dytë që vdiq në vitin 1481. Sulltani pasardhës nuk u besoi më aftësive të Gedik Ahmet Pashës dhe e burgosi derisa vdiq, ndërkohë në Himarë në brigjet shqiptare kish shpërthyer kryengritja e udhëhequr nga Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut dhe Krokondil Kladha heroi tjetër shqiptar nga Moreja.

Territoret shqiptare të Adriatikut Lindor nuk ishin më të sigurta për të shërbyer si baza pushtimi. Edhe njëherë gjaku arbër bëhej mburojë që Perëndimi të shpëtonte, mburojë e cila do të shkërmoqej gradualisht nën detin e hordhive osmane. Të gjitha qytetet shqiptare që do të binin një pas një në duar të osmanëve do të shpopulloheshin dhe do të përjetonin sërish përshkrimet që Tursun Beu shkruan në kronikat e tij për shqiptarët, kur Sulltan Mehmeti II ndërmori dy fushatat e tij në 1466 dhe 1467 në Arbëri.

“Në përputhje me traditat që ekzistonte më parë… të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin. Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të nënshtruar dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”.

Çdo vendqëndrim i tillë përveçse dëshmon ngjarje tragjike të pushtimit të Arbërisë janë vende që duhen identifikuar për t’i shenjuar edhe si vende të qëndresës arbre, një qëndrese që na bën krenar dhe pjesëtarë në Humanizmin Europian të shekullit XV.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA