Politika ndahet nga axhenda e qytetarëve

09/08/2014 00:00

Nga Aleksandër Çipa: Mes qytetarëve të këtij vendi, segmenteve të shoqërisë civile, disa protagonistëve të rinj në jetën publike të vendit dhe zëdhënësve apo udhëheqësve politikë, po krijohet një hendek. Mes tyre po zë vend diferenca e axhendave.

Opozita politike po bën përshtypje në publik për çështje të cilat të lënë shijen e mungesës së rendit dhe të mospërkimit me shqetësimin adekuat që ka publiku. Kështu, për shembull, Partia Demokratike vazhdon të denoncojë Kryeministrin Rama për mosdeklarim të asaj që ajo e konsideron “skandali i dosjes dhe historisë penale të deputetit A.Ndoka”. Po kjo opozitë vijon prej disa ditësh të bëjë deklarata e shpalosje letrash për atë që e konsideron “skandalin e shekullit” për CEZ-in. Edhe pse, sipas saj, ky është skandali më tronditës, sërish konstatohet se ndjeshmëria dhe reagimi publik nuk përkon me alarmin e opozitës. Po në këtë vazhdë denoncimesh, opozita deklarohet për rrezikshmërinë e projektligjit të qeverisë për IMEI, si një e dhënë personale e përdoruesve të telefonit. Edhe pse kjo çështje përbën interes të lartë për çdo shtetas, sërish ajo nuk po gjen mbështetje masive dhe as shprehje shumëzërëshe prej vetë qytetarëve. E njëjta gjë duket se po ngjet edhe me qëndrimin që aktualisht po mban opozita dhe paraprirësi i shprehjes së saj, ish-kryeministri Berisha, për reformën në arsimin e lartë dhe masën drastike të qeverisë për mbylljen dhe pezullimin e dhjetëra institucioneve universitare dhe jo vetëm, në sistemin publik dhe atë jopublik të vendit.

Pra, ka një vanitet publik ndaj asaj që denoncon opozita. A është ky thjesht një refuzim në heshtje i axhendës së opozitës zyrtare?! Pse ngjet kjo? Pse kjo ftohtësi? Pse nuk fitohet reagimi dhe ndjeshmëria e lartë publike ndaj kauzave apo kazuseve që denoncon opozita politike e vendit?

Natyrisht, mungesa e rendit dhe renditjes sipas peshës specifike të çështjeve që ngre opozita në raport me interesimin adekuat të publikut, besoj se është arsyeja kryesore.

Qytetarët dhe shoqëria civile e vendit po konsumojnë, më së shumti në lirinë e tyre virtuale, reagimet, denoncimet, protestën dhe përbuzjen maksimale ndaj skandalit të vjedhjes brenda Bankës së Shqipërisë. Protagonisti më i rëndësishëm i denoncuar është guvernatori i BSH-së, zoti Ardian Fullani. Skandali ka goditur për herë të parë në të gjithë historinë e këtij institucioni të dorës së parë, jo vetëm besueshmërinë ndaj saj, jo vetëm integritetin dhe pastërtinë ligjore e administruese brenda saj, por krejt besueshmërinë ndaj shtetit dhe sistemit bankar të vendit. Guvernatori, i cili ka shembur plotësisht jo vetëm imazhin dhe besueshmërinë, moralin dhe funksionin e tij në kaq vite, së fundmi po shërben edhe si simbol i ekspozimit të “kapjes së ndërsjellë mes tij dhe politikës”. Kjo kapje është përmasa e ajsbergut që përfaqëson funksioni dhe roli apo historia dhe përvoja e qenies së tij gati 10-vjeçare në detyrën e guvernatorit të BSH-së.

Ky skandal unik dhe me kosto të shumëfishta, nuk është aspak në epiqendër të axhendës së politikës. Atë po e mban dhe ngre si kryeçështje të shqetësimit dhe ndjeshmërisë publike vetëm media, rrjetet sociale dhe sidomos disa zëra të rinj e të shfaqur të shoqërisë civile. Deklaratat e deritanishme të politikës më shumë tradhtojnë “merimangën” e lidhjeve dhe besimeve reciproke mes udhëheqësve politikë dhe guvernatorit sesa shkaktojnë besim e mbështetje për maturitet.

Subjekti i “Guvernatorit dhe vjedhjes së BSH-së”, po rikthen seriozitetin qesharak të shtetit shqiptar në mediat globale. E përditshmja e Parisit, “Le Figaro” shënonte titullin “Bankierët në Shqipëri vjedhin bankat e tyre”. Mjaftojnë disa tituj të tillë në shtypin dhe mediat europiane dhe ato botërore të vjelim rezultatet e bjerrjes së plotë të imazhit të shtetit dhe të vetë sistemit bankar e atij financiar të vendit. Por, për kësi kostosh dhe ndëshkimesh tronditëse, kjo kastë politike dhe sidomos shtetarë e nëpunës të lartë si guvernatori i sheikëzuar shqiptar, jo vetëm që nuk ndëshkohen, por as nuk vihen në pozitë për t’u “zhdukur” nga jeta dhe qëndrimi në misione publike.

Ish-kryeministri Berisha, si një protagonist që jeton kohën e re të të qenët opozitari pa asnjë kompleks, e gjen të leverdishme, për qëllime që ai i di, ta krahasojë skandalin e tanishëm me atë që ai nuk e zbuloi e zbardhi dot për vite e vite të qenies së tij në krye të shtetit dhe në krye të qeverive. Kjo është shkalla më e re e ironisë me publikun, me shtetin, me ligjin dhe sidomos me vendin tonë të sharlatanizuar në sytë dhe memorien e opinionit ndërkombëtar. Me këtë rol diabolik të politikanit të regjur dhe të plakur, zoti Berisha po tenton haptazi të devijojë axhendën dhe sidomos syçelësinë e publikut ndaj këtij skandali, që nuk ka nevojë për të pasur një të dytë pranë.

Shoqëria civile dhe gjithë komuniteti i gazetarëve profesionistë, janë tashmë para një kazusi, i cili nuk duhet lënë të mbulohet apo mbivendoset me asnjë çështje tjetër. Skandali i vjedhjes në Bankë dhe sidomos roli i Këshillit Mbikëqyrës dhe ai i Guvernatorit në veçanti, duhen mbajtur në epiqendër të vëmendjes publike, ligjore dhe institucionale.

Për t’u trajtuar ky rast nevojitet të shprehen vetëm individë e protagonistë që gëzojnë ndërgjegjen e re dhe lirinë e të qenët të paimplikuar. Kjo ka nisur. Po e bëjnë disa të rinj dhe qytetarë të panjohur, falë skrupullit në ndërgjegjet e tyre dhe falë protestës që, për shkak të kastave të kleptokratëve të këtij tranzicioni, është akumuluar për t’u derdhur. Pika e ndarjes mes politikës dhe qytetarëve shqiptarë, kësaj here është më e duhur se kurrë. Po na ndan axhenda e shqetësimeve, reagimeve dhe protestave.

Le ta përdorim këtë ndarje për epilog të tranzicionit!

Gazeta “Shqip”

Top Channel