Takimi ndërmjet Minxhozit dhe Ismajlit

05/08/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, gjatë të cilit është diskutuar fuqizimi i bashkëpunimit dhe realizimi i marrëveshjeve mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, si dhe përgatitja për marrëveshjet e ardhshme, njofton Ministria e Zhvillimit Ekonomik në një komunikatë për shtyp.

Takimi është zhvilluar në bazën e objektivave të implementimit, që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjes për tregun e përbashkët energjitik Kosovë-Shqipëri.

Më këtë rast, ministri Ismajli ka bërë të ditur se hapi i ardhshëm është formimi i grupeve teknike të ekspertëve të të dyja vendeve, që do të jetë edhe shembulli i parë në Evropën Juglindore për tregun e përbashkët.

Ky bashkëpunim do të optimizojë dhe kursejë energjinë elektrike të të dyja vendeve dhe, si i tillë, do të eliminojë edhe barrierat e ndryshme administrative.

Në Shtator, kreu i MZHE-së, Fadil Ismajli, së bashku me homologun e tij, Damian Gjiknuri, do të zhvillojnë një takim, ku grupet teknike të të dyja vendeve do të fillojnë harmonizimin e kornizës ligjore e rregullative, në mënyrë që epilogu i tërë këtij angazhimi të jetë një sistem i njëjtë apo edhe i përbashkët tarifor.

Po ashtu, në takim është diskutuar me theks në veçantë për fushën minerare, për çka pritet që së shpejti të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Fokusi në këtë fushë përfshin zonat kufitare, ku bashkëpunimi i të dy vendeve do të sillte lehtësimin e procedurave administrative në fushën e hulumtimit dhe eksplorimit, që nënkupton heqjen e barrierave që lidhen më këtë veprimtari për të dyja vendet.

Top Channel