Letra e sinqertë e një nëne krenare

05/08/2014 00:00

Letra e hapur e një nëne kanadeze përmes rrjeteve sociale drejtuar tre të rinjëve që e kishin ngacmuar për format e saj “jo të hijshme fizike” u shndërrua në lajm.

33-vjeçarja Tanis Jex-Blake thotë se dita e saj e pushimit dhe e marrjes së rrezeve në plazhet e Albertas në Kanada u shkatërrua në momentin kur dy djem dhe një vajzë “qeshën” me format e trupit të saj.

“Kjo është një letër e hapur drejtuar dy djemve dhe një vajze të cilët vendosën të lënë mënjanë punët e tyre për sot në Sherëood Park ku po ndërtonin një shtëpi dhe të vinin e të qetësoheshin në plazhin e Albertas për të shijuar ujin e ngrohtë dhe birrat.

Kërkoj ndjesë që dalja ime e parë në publik me bikini pas 13 vitesh i ka mërzitur! Kërkoj ndjesë që barku im nuk është i sheshtë e me muskuj! Kërkoj ndjesë që beli im nuk është i hollë! Por NUK më vjen keq sepse trupi im ka mbartur, rritur, mbrojtur e lindur pesë fëmijë të shëndetshëm, inteligjentë dhe të mrekullueshëm”, shkruan 33-vjeçarja.

“Më vjen keq që trupi im 33-vjeçar ju ka ofenduar në atë pikë sa të qeshnit dhe të talleshit me mua. Më duhet të them se kur shihja trupat tuaj elegantë nuk mund të mos mendoja për veten. Por ndërkohë që pretendova sikur s’dëgjova gjë e sikur s’më hynin në vesh fjalët që ju hodhët, në makinë shpërtheva në lot. Faleminderit që më shkatërruat ditën! Janë njerëz si ju që e bëjnë këtë botë një vend të egër dhe të urryer. Nuk mund ta ndihmoj, por ndjej keqardhje për gruan që një ditë do të mbartë dhe rritë fëmijët tuaj, kur trupi i saj elegant të shndërrohet gradualisht përgjatë periudhës së mrekullueshme të shtatzënisë. Shpresoj vetëm që një ditë ta kuptoni që shenjat në barkun tim janë shenja krenarie, jo turpi”, përfundon letrën e saj nëna krenare e pesë fëmijëve, që të pestë të lindur me operacion. 

FOTO GALERI
1/1

Top Channel