Urgjenca në QSUT, standard i ri shërbimi

30/07/2014 00:00

Pas furnizimit me barna në qendrën spitalore më të madhe në vend ka nisur puna për ndryshimin e imazhit të saj. Urgjenca e sëmundjeve të brendshme të QSUT përmbush sot parametrat e një urgjence të klinikave private jashtë vendit.

Ndonëse më parë një rast urgjence humbte më shumë kohë duke u sorollatur pa ditur të orientohej, tashmë, që në hyrje të urgjencës janë vendosur ndihmësa që presin dhe çojnë pacientin drejt bokseve të triazhit, të cilat janë pajisur me shtretër trasnportues dhe sigurojnë privatësinë e secilit.

Më pas mjeku përcakton se ku do të drejtohet pacienti për të marrë shërbimin e duhur mjekësor. Por për të ndryshuar dhe mentalitetin tonë, për rastet kur një pacient shoqërohet nga disa të afërm dhe të gjithë kërkojnë të komunikojnë me mjekun, është bërë një sallë pritjeje ku ata do të akomodohen.

Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu thekson se çdo përmirësim po bëhet në konsultë me ekipet e mjekëve për të ofruar një shërbim shëndetësor cilësor.

“Ne kemi nisur këtë organizim funksional me ekipin mjekësor të adaptuar nga standardet evropiane të zonifikimit dhe kodifikimit të urgjencës, përmirësimit të funksionimit të saj me një infrastrukturë të re, me aksesorët e duhur për urgjencën dhe me një sistem sigurie sa i përket dy pikave kryesore: zona e kuqe, e aksesuar vetëm nga mjekët; dhe dhoma e observimit”, ka sqaruar Manastirliu.

Në ambientet e urgjencës janë vendsour tabela orientuese me informacionin e nevojshëm për funskionimin e këtij shërbimi, por ndërkohë një grup punonjësish socialë informojnë të afërmin që shoqëron pacientin në lidhje me ecurinë e të sëmurit, analizat që po i bëhen e të tjera.

Shefi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme, Edmond Zaimi vlerëson këtë përmirësim të infrastrukturës në urgjencë. “Gjithë këto ndërhyrje në infrastrukturë i shërbejnë cilësisë së shërbimit dhe racionalizimit të burimeve që kemi në dispozicion, për të vajtur aty ku duhet, pra tek pacienti që ka më shumë nevojë”, ka thënë Zaimi.

Edhe në urgjencën e sëmundjeve infektive është ndërhyrë duke ndryshuar tërësisht pamjen e saj, çka reflekton higjenë, pastërti dhe rregull.

Top Channel