BSH: Rritet optimizmi i biznesit

18/07/2014 00:00

Banka e Shqipërisë deklaron se optimizmi në ekonomi shënoi rritje të fortë në tre-mujorin e dytë të këtij viti si tek bizneset ashtu dhe tek konsumatorët në të gjitha segmentet e tregut.

Sipas vrojtimit të fundit, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen e ekonomisë u rrit me 5.6 pikë përqindje duke shënuar nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2011.

Ky është i treti tre-mujor me radhë që sentimenti i sipërmarrjes dhe individëve për ekonominë përmirësohet, i udhëhequr kryesisht nga rritja e optimizmit në industri tregti dhe shërbime.

Veçanërisht sektori i industrisë sipas të dhënave nga banka po përjeton një moment pozitiv. Treguesi i besimit në të, për herë të parë që nga viti 2011 është rikthyer mbi mesataren e tij afatgjatë dhe gati 9.3 pikë përqindje mbi mesataren e 5 viteve të fundit.

Sipas vrojtimit, bizneset e industrisë kanë deklaruar rritje të prodhimit, por edhe përmirësim të gjendjes së tyre financiare. Tre-mujori i dytë është periudha në të cilën qeveria filloi të likujdonte masivisht borxhet e prapambetura ndaj biznesit, cka sipas ekspertëve të bankës mund të jetë një nga faktorët kryesorë në rritjen e optimizmit të tyre.

Por përtej biznesit, tre-mujori i dytë ka shënuar edhe përmbysjen e tendencës negative në besimin e konsumatorëve, të cilët janë shprehur se presin një situatë më të mirë ekonomike, por edhe përmirësim të gjendjes së tyre financiare.

Banka Qendrore e përdor vrojtimin për ndjesinë ekonomike si një indikator që i paraprin ecurisë së ekonomisë. Por a është përmirësimi i tij, për të tretin tre-mujor me radhë, një sinjal optimist se ekonomia mund të jetë në një fazë ngritje? Kjo mbetet për t’u parë gjatë muajve në vijim.

Sipas FMN, pika më e ulët e krizës për ekonominë shqiptare me gjasa mund të ketë qenë  tre-mujori i tretë i vitit të kaluar.  

Top Channel