Zhgënjen rritja e eurozonës

09/07/2014 00:00

Përballë shpresave për një ringritje të shpejtë, ekonomia shqiptare duket se do vijojë të mbetet e ndrydhur, në një ambient të vështirë që diktojnë ekonomitë fqinje.

Të dhënat e fundit zyrtare, nga Instituti Europian i Statistikave, rritja ekonomike e eurozonës në tremujorin e parë ishte dy herë më e ulët se parashikimi. Sipas Eurostat, për periudhën Janar-Mars, ekonomia europiane u rrit vetëm me 0,2 përqind, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur parashikimet ishin për një rritje 0,4 deri në 0,5 përqind.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, e cilëson tremujorin e parë si një zhgënjim të madh për ekonominë europiane. Por, përtej kësaj, shqetësimi më i madh për Shqipërinë buron nga ecuria negative e dy ekonomive, që janë dhe partnerët e saj kryesorë.

Sipas Eurostat, si Greqia, ashtu dhe Italia, mbeten sërish në recesion, me rënie të prodhimit. Në Greqi, në tre muajt e parë të vitit, prodhimi u tkurr me gati 1 përqind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në Itali shifra e kontraktimit ishte 0,5 përqind.

Të dyja këto vende kanë ndikim përcaktues për ekonominë e Shqipërisë. Përveç se partnerët më të mëdhenj tregtarë, ato kanë pjesën më të madhe të investimeve të huaja, por, mbi të gjitha, janë edhe importuesit kryesorë të krahut të punës.

Shifrat e Eurostat, por edhe të dhënat e tremujorit të parë që vijnë nga ekonomitë e rajonit, tregojnë se viti 2014 ka nisur sërish i vështirë dhe, me gjasa, ka mbetur i tillë edhe në tremujorin e dytë. Kjo, pasi parashikimet janë që, edhe për periudhën Prill-Qershor, rritja ekonomike e eurozonës të ketë qenë e dobët, në të njëtat nivele.

Një situatë që godet jo pak ekonominë shqiptare dhe shpresat për një rigjallërim të shpejtë të saj.

Top Channel