Tajfuni “Neoguri” godet Japoninë

08/07/2014 00:00

Qindra mijëra personave u është bërë thirrje të kërkojnë strehim në Japoni, teksa tajfuni i fuqishëm po kalon mbi ishullin Okinaua dhe ishujt e tjerë përreth.

Tajfuni “Neoguri” pritej të përfshinte ishullin më vonë gjatë së martës, por erërat e forta dhe shirat e rrëmbyeshme kanë filluar. Fluturimet janë anuluar dhe shkollat janë mbyllur.

Pamjet televizive lokale tregojnë palma të rrëmbyera nga era. Meteorologët deklaruan se stuhia mund të jetë një nga më të fortat që godet Japoninë, duke gjeneruar dallgë deri në 14 metra lartësi.

“Ekziston rreziku për erëra me një forcë të papreçedentë dhe shira të dendura. Ju lutemi shmangni aktivitetet e panevojshme jashtë shtëpisë”, paralajmëruan autoritetet mbrëmjen e së hënës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje rreth 480 mijë banorëve në Okinaua për të qëndruar në banesat e tyre ose për të vajtur në qendrat komunitare për strehim.

Mbi 50 mijë shtëpi raportohet të kenë mbetur pa energji, ndërkohë që një rafineri nafte ka ndërprerë operacionet. Në orën 12:00 me orën lokale, tajfuni “Neoguri” po drejtohej në veri me një shpejtësi prej 25 kilometrash në orë, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Banorët po bëhen gati për një mot edhe më të ashpër. Kathryn Spoor, e cila jeton në Okinaua, tha për BBC se shumica e shumica e njerëzve që duhet të evakuoheshin janë evakuuar.

Okinaua, prefektura e ekstremit jugor të Japonisë që përfshin edhe disa ishuj të vegjël, është shtëpi e bazave më të mëdha ushtarake amerikane. Rreth 26 mijë trupa janë vendosur atje në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë SHBA-Japoni.

Top Channel