Somali, islamikët sulmojnë pallatin presidencial

08/07/2014 00:00

Somalia vazhdon të jetë në qendër të sulmeve. Këtë herë, ka qenë pallati presidencial në Mogadishu, ai që është përfshirë nga luftime të ashpra. Militantë islamikë të al-Shabab kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë kryer shpërthime nga anë të ndryshme, në drejtim të godinës.

Sipas burimeve të BBC, presidenti Hassan Sheikh Mohamud nuk ndodhej në brendësi të pallatit në kohën e sulmit. Një zëdhënës i Al-Shabab ka deklaruar se luftimet vazhdojnë, ndërkohë që një zyrtar qeveritar ka bërë të ditur se militantët janë vrarë të gjithë dhe agresioni ka marrë fund.

Sulmet e vazhdueshme në Somali vijnë nga grupi i lidhur me al-Kaedën, al-Shabab, i cili, që pas humbjes së kontrollit në kryeqytetin Mogadishu në vitin 2011, ka paralajmëruar rritjen e trazirave, sidomos gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Më parë, një bombë e vendosur në një makinë shpërtheu në afërsi të Parlamentit, duke vrarë të paktën katër persona, ndërkohë që deputetët ndodheshin ende në seancë. I njëjti skenar, kohë më parë, solli vdekjen e 10 vetëve, kur militantët e al-Shabab shënjestruan godinën e Parlamentit, ku ndër të tjerash një deputet i Parlamentit të Somalisë u qëllua për vdekje, në automjetin e tij.

Top Channel