Instituti i Statistikave raportoi se ekonomia shqiptare u rrit me 1,65 përqind në tremujorin e parë të vitit. Drejtori i përgjithshëm, Gjergj Filipi, tha se rritja pozitive i dedikohet ecurisë së prodhimit në disa sektorë.
“Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si industria, post-komunikacioni, tregti, hotele dhe restorante, si dhe shërbime të tjera”, u shpreh Gjergj Filipi, drejtor i Përgjithshëm i INSTAT.
Por, edhe pse pozitive, rritja e prodhimit në tremujorin e parë mbetet e ngadaltë. Sipas INSTAT, ajo është ndikuar nga ecuria e dobët e ndërtimit dhe transportit, ky i fundit i goditur nga falimentimi i një kompanie ajrore vendase, vitin e kaluar.
“Aktiviteti i ndërtimit sërish në rënie me 5,3 përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013. Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë gjithashtu shënon rënie prej 24,98 përqind. Besoj se do të na shoqërojë ky ritëm edhe dy tremujorët në vijim, sepse ka pushuar një aktivitet, i cili mund të jetë mbushur nga operatorë konkurrentë, të cilët nuk janë vendas”, u shpreh më tej Filipi.
Sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian, INSTAT ka ndryshuar metodologjinë, përmes së cilës e llogarit rritjen ekonomike. Filipi thotë se mënyra e re ndikon në rezultatin final, por – sipas tij – INSTAT i ka rillogaritur dhe shifrat e periudhave të shkuara për t’i bërë ato të krahasueshme.
“Ka hyrë në fuqi nomeklatura e re e klasifikimit të aktiviteteve ekonomike, versioni i dytë i saj. Të gjitha vendet europiane punojnë me këtë ritmikë, ashtu siç do vazhdojë të punojë edhe Shqipëria. Shifrat janë patjetër të krahasueshme me të shkuarën, të gjitha seritë që do të merrni janë të krahasueshme me të gjitha zhvillimet e mëparshme në kohë”, përfundoi Filipi.
INSTAT ka korrektuar edhe shifrën vjetore të rritjes ekonomike për 2013-n, e cila nga 0,44 shkon në 1,42 përqind. Sipas INSTAT, kjo ka ardhur për disa arsye, që lidhen me ndryshimin e vitit referencë mbi të cilin matet rritja, nga 2005 në 2010, si dhe informacionin më të plotë, që është marrë gjatë këtyre muajve.
Top Channel