Hamas: Izraeli do ta paguajë shtrenjtë

07/07/2014 00:00

Lëvizja islamike palestineze, Hamas, ka premtuar se Izraeli do ta paguajë shtrenjtë vrasjen e 8 militantëve të saj gjatë natës në Gaza.

Pesë militantë mbetën të vrarë pasi një raket goditi një tunel të përdorur për kontrabandë në afërsi të Rafahut.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur baza terroristësh dhe se kishte neutralizuar disa raketahedhëse si kundërpërgjigje ndaj të shtënave dhe mortajave nga territori bregdetar.

Tensionet janë rritur në Lindjen e Mesme që kur një adoleshent palestinez u vra duke u djegur i gjallë, në atë që dukej si hakmarrje për vrasjen e tre të rinjve izraelitë.

Ditën e diel policia izraelite deklaroi se kishte arrestuar gjashtë izraelitë të dyshuar për vdekjen e 16-vjeçarit Mohammed Abu Khdair.

Krahu ushtarak i Hamas, Brigadat Al Kasam, deklaroi se marina izraelite kishte shënjestruar një “lokacion të rezistencës” në qytetin jugor të Rafahut.

Fillimisht u raportua për 6 anëtarë të saj të vdekur, por më vonë burime të tjera deklaruan për BBC se njëri ishte ende gjallë.

Autoritetet palestineze deklaruan se tuneli në afërsi të kufirit me Egjiptin ishte goditur nga një raketë, ndërsa mediat izraelite, duke cituar burime nga Ministria e Mbrojtjes, thanë se tunelit mund të jetë shembur si pasojë e shpërthimit aksidental të eksplozivit që po transportonin militantët.

Brigadat Al Kasam deklaruan gjithashtu se një avion i telekomanduar kishte sulmuar një bazë në veri të Gazës, duke vrarë një luftëtar, ndërsa dy militantë të tjerë u vranë në sulme të veçanta në lindje të kampit të refugjatëve Bureij, në qendër të Gazës.

Top Channel