Britania, nën shok nga skandali i pedofilisë

07/07/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se do të zbardhë të vërtetën e skandalit historik të pedofilisë në radhët e politikës, në prag të njoftimit të një hetimi gjithëpërfshirës.

Kryeministri deklaroi se nuk do të lërë “gur pa lëvizur” derisa të gjejë se çfarë ka ndodhur. Sipas raportimeve të BBC, hetimi do të kontrollojë deklaratat e bëra që përfshijnë elitën politike të Britanisë së Madhe.

Sekretarja e Punëve të Brendshme, Theresa May ka paraqitur detajet e hetimit në Dhomën e Parlamentit. Ajo ka njoftuar gjithashtu një rishikim të organeve shtetërore që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve.

Zyrtarja e lartë u ka treguar gjithashtu deputetëve se do të zhvillojë një hetim të veçantë për të verifikuar përse dikasteri i saj dështoi të vepronte pas deklaratave për një xhiro pedofilie në vitet ’80.

“Nuk do të mbetet gur pa lëvizur gjatë hetimit që do të verifikojë se si institucionet menaxhuan dyshimet për abuzime seksuale ndaj fëmijëve. Është jetike që nga gabimet e bëra në të kaluarën të nxirren mësime”, deklaroi kryeministri Cameron.

“Gjithashtu është e rëndësishme që policia të jetë gati të shkojë kudo që e çojnë provat dhe të kryejë të gjitha veprimet për një hetim të saktë, në mënyrë që të sigurohemi që këto gjëra nuk do të ndodhin sërish. Nuk do të ndodhin gjatë qeverisjes sime”, vijoi kryeministri.

Laburistët kanë bërë thirrje për një hetim tërësisht publik mbi zërat për abuzime seksuale ndaj fëmijëve që supozohet të jenë bërë nga politikanët në të kaluarën.

Top Channel