Avancon ushtria ukrainase në Lindje

07/07/2014 00:00

Trupat qeveritarë vazhdojnë përparimin drejt Lindjes së Ukrainës, pasi i ndoqën një ditë më parë separatistët pro-rusë deri pranë kufirit me Rusinë.

Sloviansku, fortesa e rebelëve dhe zemra simbolike e kryengritjes, është tashmë në duart e ushtarëve të Kievit, por këta të fundit i shtuan fitoret e tyre me marrjen e dy qyteteve të tjera.

Në faqen e internetit të presidentit Petro Poroshenko thuhet se flamuri kombëtar valëvitet tani mbi ndërtesat kryesore në Artemivsk dhe Druzhkivka.

Edhe pse nuk janë të një rëndësie strategjike, si Sloviansku, rimarrja e tyre tregon se epërsia tani është në anën e forcave të qeverisë.

Pavarësisht humbjeve, separatistët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll kryeqendrat rajonale të Donjeckut e Luhanskut, si dhe zona të tjera kyçe. Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë, Mykhaylo Koval, thotë se shumë shpejt ato do të vihen nën rrethim, derisa rebelët të dorëzohen.

“Ekziston një plan strategjik, i cili është aprovuar. Këto qytete do të bllokohen plotësisht. Të tilla masa do të rezultojnë me detyrimin e separatistëve, të cilët ne i quajmë banditë, që të ulin armët”, tha Koval.

Krerët rebelë e pranuan se kanë pësuar humbje të rënda gjatë tërheqjes nga Sloviansku, por në Donjeck, sipas mediave vendase e të huaja, kryengritësit e armatosur rëndë lëvizin lirshëm nëpër rrugë.

Të dielën, ushtarët ukrainas konfiskuan një arsenal të madh armësh nga kryengritësit në zonat e mësyra prej tyre, ndërsa ministri i Brendshëm Arsen Avakov pohoi se disa rebelë janë dorëzuar e të tjerë janë përpjekur të arratisen, duke u përzierë me popullatën civile.

Top Channel