Ahmetaj: Të tjera lehtësi fiskale

07/07/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi kanë zhvilluar një vizitë në një fabrikë të përpunimit të peshkut në Lezhë.

Sipas ministrit Ahmetaj, shumë shpejt do të hartohet një paketë masash mbështetëse për sektorin e bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit.

“Me iniciativë të qeverisë jemi në përfundimin e një pakete në mbështetje të bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit. Planet e sipërmarrjes janë motivuese dhe ne jemi gati për instrumenta lehtësues, asistencë për tregjet apo përmes fondeve të investimit”, deklaroi Ahmetaj.

Ndërsa kreu i Business Albania, Luan Bregasi theksoi se fakti i ardhjes së lëndës së parë nga jashtë e vështirëson punën e këtij biznesi.

“Ky biznes vuan nga mungesa e lëndës së parë që importohet nga jashtë. Me politikat e reja qeveria do mbështesë më shumë rritjen e prodhimit vendas dhe të eksportin e tij”, tha Bregasi.

Por lidhur me këtë problematikë, ministri Ahmetaj u shpreh se një flotë moderne peshkimi do ta ndryshonte këtë problematikë.

Top Channel