Ukrainë, rimarrja e Slovianskut

06/07/2014 00:00

Rimarrjen e fortesës së rebelëve, Slovianskun, presidenti ukrainas e përshkroi si një pikë-kthese në konfliktin tremujor, edhe pse për Petro Poroshenko-n, kjo nuk nënkupton një fitore të plotë; më tepër një ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme simbolike.

Forcat qeveritare kanë bërë përparime të mëdha territoriale, që prej fillimit të ofensivës në Donjeck dhe Luhansk, pas përfundimit të armëpushimit. Rebelët pro-rusë vazhdojnë të kenë në duart e tyre dy kryeqendrat rajonale dhe zona të tjera me rëndësi kyçe. Por, Sloviansku është konsideruar prej kohësh një vatër e rëndësishme e rebelimit e, përpos të tjerash, është edhe qendra ushtarake e Republikës Popullore të Donjeckut.

“Fitorja ende nuk është e plotë, ndaj nuk është momenti për të hedhur fishekzjarre. Por, pastrimi i Slovianskut nga bandat e armatosura deri në dhëmbë ka peshë të madhe simbolike. Ky është fillimi i kthesës në luftën kundër militantëve”, tha presidenti ukrainas Poroshenko.

Sipas zyrtarëve ukrainas, tani në Sloviansk ndodhet ushtria, që premtoi se shpërndarja e ndihmave humanitare do të nisë shumë shpejt. Rebelët e lanë qytetin pas një nate sulmesh me mortaja, lëvizje e orkestruar në dukje prej kreut ushtarak rajonal, Igor Strelkov.

Nga sa pohoi një zëdhënës i separatistëve, këta të fundit do të braktisin të gjithe sektorin verior për t’u tërhequr mbrapsht në Donjeck. Në duart e forcave të Kievit, sipas raporteve nga terreni, është aktualisht edhe Kramatorsku fqinj me Slovianskun.

Nga çdo fitore e trupave të Kievit, deri më tani, marrja e Slovianskut dhe ngritja e flamurit ukrainas mbi ndërtesën e Bashkisë, është më domethënësja. Qyteti nuk ishte vetëm zemra e kryengritjes, por edhe simboli i rezistencës së militantëve ndaj çdo tentative të pushtetit qendror për të rivendosur kontrollin në Lindje.

Në vazhdim, mbetet për t’u parë nëse ky triumf përbën vërtet një ndryshim rrënjësor, në përpjekjet e Kievit për të shuar rebelimin në rajonet lindore, apo ishte thjesht ngadhnjim i rastit.

Top Channel