Mbikqyrja e të pafajshmëve

06/07/2014 00:00

90% e njerëzve të identifikuar si të prekur nga përgjimi i NSA-së ishin përdorues të thjeshtë të internetit, e jo shënjestra të huaja mbikqyrjeje.

“The Washington Post” shkruan në një artikull të tij se në rrjetin e vëzhgimit të Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare kanë përfunduar plot persona të pafajshëm. “Janë arkivuar shumë informacione private, – vazhdon gazeta prestigjioze, – edhe pse nuk kishin asnjë vlerë për shërbimet e inteligjencës”.

Për të dalë në këtë përfundim, “Washington Post” ka verifikuar 160,000 email-e e mesazhe, si dhe 7,900 dokumente nga 11.000 llogari personale online, të mbledhura prej NSA-së në periudhën e viteve 2009-2012.

Hetimi katërmujor i gazetës tregoi se 9 në 10 persona me profile në internet, shumë nga të cilët amerikanë, nuk ishin objektiva vëzhgimi. Pjesa dërrmuese e informacioneve të përftuara prej tyre, e të ruajtura nga agjencia, kishin të bënin me histori dashurie, marrëdhënie të jashtëligjshme, probleme të shëndetit mendor, biseda me sfond politik e fetar, shqetësime financiare apo zhgënjime.

Sipas “Washington Post”-it, dosjet e të mbikqyrurve nxjerrin edhe më shumë në pah një dilemë të hershme të Barack Obama-s në lidhje me operacione të tilla që, edhe pse grumbullojnë në raste të caktuara informacione me vlerë të konsiderueshme kundërzbulimi, kanë edhe dëme anësore, siç e quan gazeta cënimin e privatësisë, problem ky të cilin administrata nuk është shfaqur e gatshme ta zgjidhë.

Top Channel