Irak, kreu i ISIS në videon e parë

05/07/2014 00:00

Abu Baker al Bagdadi, udhëheqësi i grupit islamik ISIS, ka bërë thirrjen e parë publike nëpërmjet një videoje të publikuar në internet, duke u kërkuar të gjithë myslimanëve që të bashkohen me kalifatin e vetëshpallur.

Në fjalimin e tij Bagdadi tha se, “Emërimi i një lideri është një detyrim mbi myslimanët dhe fatkeqësisht është lënë pas dore për dekada të tëra”. Ai gjithashtu theksoi se nuk ka kërkuar vetë për të qenë udhëheqësi i tyre, madje e ka cilësuar postin si një “barrë”.

“Unë jam udhëheqësi juaj, edhe pse unë nuk jam më i miri nga ju, kështu që nëse shihni se unë kam të drejtë më përkrahni dhe në qoftë se ju shihni se unë jam gabim, atëherë do të ishte mirë të më këshillonit”, e mbylli fjalimin e tij Abu Baker Al Bagdadi.

Burime të BBC thanë se videoja është filmuar të premten gjatë një predikimi në xhaminë Al-Nuri në Mosul. Ekspertët thonë se udhëheqësi i militanteve kurrë nuk është shfaqur në video të tjera, edhe pse fotografi të tij janë publikuar në internet.

Më parë Abu Baker al Bagdadi ka bërë një regjistrim audio drejtuar mbështetësve të tij që të bashkoheshin dhe përshkallëzonin sulmet gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Lideri i xhihadistëve është emëruar si kalif nga grupi militant, i cili ka zaptuar territore të mëdha të Irakut dhe Sirisë.

Organizata terroriste dhe milicitë aleate me të nuk po zgjerojnë vetëm sferën e ndikimit në Irak, por kanë vënë nën kontroll edhe kalimin e vetëm kufitar për në Jordani.

Persona të larguar nga qytetet e kontrolluara prej rebelëve i thanë BBC se militantët e ISIS-it kanë nisur një gjueti të vertetë ndaj josunitëve dhe kundërshtarëve të tyre, duke pretenduar që ata të bashkoheshin me kalifatin e porsashpallur, ose në të kundërt do të perballen me ekzekutimin.

Top Channel