Afganistan, talebanët sulmojnë çisternat

05/07/2014 00:00

Talebanët në Afganistan thonë se kanë kryer një sulm me raketa ndaj qindra depozitave të naftë jashtë kryeqytetit Kabul. Raporti nga policia thotë se situata është ende e paqartë nëse ka pasur viktima ose jo.

Çisternat po transportonin karburant për forcat e NATO-s dhe ishin të parkuara në kohën e sulmit. Një zyrtar afgan i sigurisë tha se, të paktën 400 depozita me karburant morën flakë në periferi të Kabulit.

Autoritetet vendase tregojnë se numri i çisternave të shkatërruara shkon në disa qindra dhe se policia po heton ende shkakun e zjarrit. Në një deklaratë, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Muxhahid tha se objektivi i tyre ishte realizuar me përpikmëri.

Ndërsa sulmet ndaj çisternave të NATO-s janë të zakonshme në Pakistan, gjatç viteve të fundit korrespondentët thonë se ato kanë qenë më të rralla në Afganistan.

Të mërkurën një terrorist vrau të paktën tetë oficerë ushtarakë në një sulm mbi një autobus të forcave ajrore në Kabul. Afganët janë ende duke pritur rezultatet e një votimi të mbajtur në qershor për të caktuar pasuesin e presidentit Hamid Karzai.

Komisioni zgjedhor i Afganistanit është vonuar në nxjerrjen e rezultateve paraprake dhe gjendet vazhdimisht mes akuzave për mashtrim dhe fshehje votash të bëra nga kandidatët rivalë.

Gati 1 milion vota janë duke u rinumëruar dhe të dy kandidatët, ish-ministri i Jashtëm Abdullah Abdullah dhe ish-ministri i Financave Ashraf Ghani, pranojnë se ka pasur parregullësi në procesin zgjedhor.

Top Channel