Rriten të ardhurat nga tatimet

03/07/2014 00:00

Një ditë pas Doganave edhe Tatimet kanë bërë publike rezultatet e 6-mujorit. Përmes një njoftimi zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se për periudhën janar-qershor të këtij viti të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore ishin 12 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, duke u rritur me 17.1 për qind.

Sipas Tatimeve, rritje ka patur në të dy grupet kryesore të të ardhurave, si ato nga taksat ashtu dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Në total për gjashtë muajt e parë Tatimet kanë mbledhur rreth 82.6 miliardë lekë duke e tejkaluar me 2.3 për qind planin e përcaktuar në buxhetin e shtetit.

Së bashku me të dhënat e raportuara nga doganat një ditë më parë, të ardhurat për gjysmën e parë të vitit që mbledhin këto dy institucione rezultojnë të jenë rritur me rreth 20 miliardë lekë ose gati 200 milionë dollarë krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Në buxhetin e 2014-s qeveria ka parashikuar të mbledhë 40 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, gjysma e të cilave vjen nga rritja direkte e taksave me paketën e re fiskale, ndërsa pjesa tjetër sipas ministrisë nga mirëadministrimi dhe lufta ndaj informalitetit.

Top Channel