Doganat, 7.9 mld lekë më shumë

02/07/2014 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportoi se për gjashtë muajt e parë të vitit ka arkëtuar 7.9 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një njoftimi zyrtar, doganat bëjnë të ditur se për përiudhën janar-qershor janë mbledhur në total 69 miliardë e 295 milionë lekë, ose 12.9 për qind më shumë se vitin e kaluar, duke qenë në realizim të plotë të planit buxhetor.

Sipas doganave, rritje të ndjeshme ka patur veçanërisht gjatë muajit qershor, kur të ardhurat nga taksat janë rritur me 2.6 miliardë lekë më shumë se vjet, ose 24.9 për qind.

Sipas njoftimit, mes të tjerash muaji i kaluar është karakterizuar nga një ecuri e fortë pozitive edhe e mallrave të akcizës, zëri që sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për pesë muajt e parë të vitit rezulton me performancën më të dobët.

Por sipas doganave, fushata sensibilizuese e muajve të fundit e nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni në bashkëpunim me “Crown Agents” po jep rezultate, ku vetëm në qershor ka një rritje të dukshme të të gjitha mallrave që janë subjekt i taksës së akcizës si karburantet, cigaret, birra dhe kafeja.

Sipas doganave, klima e re e krijuar me komunitetin e biznesit, lehtësimi i proçedurave të zhdoganimit dhe fushatat e ndryshme informuese të ndërmarra gjatë këtyre muajve kanë çuar drejt një trendi në rritje sa i përket realizimit të të ardhurave.

Top Channel