Valbona, eksplorimi që nuk mbaron

30/06/2014 00:00

Valbona është një nga zonat më të bukura malore dhe më të vizitura nga turistët. Turizmi malor është zhvilluar më shumë kryesisht vitet e fundit dhe sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në fakt turizmi natyror, ku përfshihet dhe ai malor, zë një vend të rëndësishëm në strategjinë në zhvillim të turizmit.

Ministrja Eglantina Gjermeni, bashkë më një ekip të Ministrisë, zhvilloi një inspektim dyditor në këtë zonë. Inspektim të rrugës, që të çon në Valbonë. Më pas, një takim me kryetarin e Komunës në Margegaj, Rexh Biberaj, ku u diskutuan problematikat e zonës, si ato në lidhje me rrugët, shërbimin shëndetësor e promovimin e mëtejshëm të vendit.

Inspektimi vazhdoi edhe në disa bujtina tipike të zonave malore, më pas vizita në pikat turistike më të frekuentuara, si Ujëvara e Valbonës.

“U befasova këndshëm nga numri i turistëve vendas dhe të huaj, që kanë vizituar Valbonën, ndërkohë që bukuritë përrallorë që na mrekullojnë të gjithëve, na bëjnë të ndihemi krenarë, pak njihen nga të gjithë ne në Shqipëri, pavarësisht se media ka luajtur rolin e saj promovues, mendoj që vet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencia kombëtare e Turizmit, por edhe operatorët turistikë duhet të bëjnë më shumë për t’i promovuar gjithë këto bukuri, potencialet turistike që ka kjo zonë, mikpritjen, bujarinë, qetësinë dhe prehjen që gjen këtu, historinë, si dhe mundësi për të organizuar turizmin e aventurës e natyrës”, u shpreh Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Për herë të parë, Valbonën e vizituan edhe ambasadorë e pjesëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Kosovë, me ftesë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ambasadorit tonë në Prishtinë, Qemal Minxhozi me qëllim promovimin e bukurive vendase dhe paketave të përbashkëta turistike malore Shqipëri-Kosovë.

“Mendoj se ajri është shumë i pastër, malet janë të mrekullueshme dhe i gjithë mjedisi është fantastik. Një vend shumë i bukur dhe me restorante që ofrojne ushqime bio. Do ta rekomandoja. Është një vend që britanikët do ta pëlqenin”, deklaron Ian Cliff, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Është shumë mirë të shikosh që shqiptarët e ruajnë ende traditën e tyre. Këto rrethina të bukura dhe gjithçka tjetër, bëjnë që t’ia vlejë ardhja këtu”, thotë një turiste gjermane.

“Valbona është shumë e bukur. Ka natyrë të jashtëzakonshme dhe mikpritje të shkëlqyer. Vendi ideal për t’u qetësuar. Do t’ua sugjeroja njerëzve të mi që të vinin dhe ta zbulonin këtë vend”, thotë Ambasadori Gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer.

Top Channel