Shqiptarët s’i tremben krizës

27/06/2014 00:00

Që pas vitit 2008, kriza ka përkeqësuar thuajse të gjithë treguesit e ekonomisë shqiptare. Rritja ekonomike ka rënë me disa herë, borxhi publik është zgjeruar me ritme të shpejta, ndërsa bilancet e biznesit dhe familjarëve janë tronditur.

Sërish, me gjithë pasiguritë e larta dhe ndrydhjen e besimit të privatëve, të dhënat dëshmojnë se ka një tregues, i cili jo vetëm që i ka rezistuar viteve të vështira të krizës, por ka patur një ecuri rekord. Kjo është iniciativa e shqiptarëve për biznes.

Sipas Instat, në fund të vitit të kaluar Shqipëria numëronte mbi 111 mijë biznese aktive në total. Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e tyre, ose mbi 56 mijë janë krijuar pas vitit 2008.

Sipas Instat, pothuajse gjatë gjithë viteve të krizës, norma e lindjes së bizneseve të reja, ka qenë në nivelet më të larta historike. Madje dukshëm më të larta edhe se sa ato të para vitit 2008, kur ekonomia ishte në gjendje shumë më të mirë.

Një rezultat në dukje suprizë pas të cilit mund të ketë një sërë shkaqesh. Por mbi të gjitha nevoja. Pas vitit 2008, burimet kryesore të të ardhurave për një pjesë të madhe të familjeve janë goditur.

Dërgesat nga jashtë kanë rënë me ritme të shpejta, ndërsa të ardhurat nga punësimi thuajse kanë ngrirë për shkak të rënies së pagave, por edhe rritjes së papunësisë.

Në këto kushte, për shumë familje, hapja e një biznesi të vogël mund të jetë shndërruar në mundësinë e vetme për të patur një burim të ardhurash.

Top Channel