“Top Story”, statusi dhe detyrat e reja

26/06/2014 00:00

Të martën Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në mbledhjen e mbajtur në Luksemburg i thanë “Po” statusit kandidat për vendin tonë. Ky vendim është një stacion i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit, por jo i vetmi.

Vendin e presin sfida akoma më të vështirë deri në çeljen e negociatave e më pas anëtarësimin si një vend me të drejta të plota. Por cilat janë këto sfida. Për të folur për këtë në Top Story këtë të enjte ishte e ftuar Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, Ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ekonomisti Adrian Civici dhe analistët Lutfi Dervishi dhe Arjan Vasjari.

Gjatë gjithë kohës rekomandimet e ndërkombëtarëve për qeverinë shqiptare janë të njëjta, luftë kundër korrupsionit dhe luftë krimit të organizuar. Sigurisht këto nuk ndihmojnë në krijimin e një imazhi model jashtë, përkundrazi. Por a janë përballur me këtë imazh negociatorët e palës shqiptare? Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha: Jemi ndeshur që në momentin e parë dhe puna e parë ka qenë të luftonim këtë imazh që është krijuar për Shqipërinë dhe të gjitha reformat e deri tek ndërhyrja në Lazarat e të tjera si këto janë bërë për të ndryshuar edhe imazhin”.

Cila është rëndësia e këtij vendimi dhe si mbërritëm deri këtu? Ministri Ahmetaj u përgjigj: “Nuk është i rastësishëm momenti. Ngjarjet nuk kanë rrjedhur të painfluencuara. Qeveria ka bërë përpjekje të qarta jo vetëm për të fituar statusin, por në aspektin real për të përmirësuar parametrat jo vetëm të imazhit, por edhe jetën e përditëshme të qytetarëve, biznesit dhe imazhin e vendit që kishte dhe ka nevojë për shumë përpjekje për ta përmirësuar. Momenti ka ardhur për shkak të reformave.

Por për Lutfi Dervishin statusi është një vendim i vonuar dhe i gjithë shkaku ka qenë brenda, jo jashtë. Edhe ministri Ahmetaj ishte i këtij mendimi: “Statusi është i vonuar dhe fajtorë jemi ne, ka qenë politika shqiptare, kanë qenë mungesa e reformave, lufta kundër korrupsionit. Shqipëria ka bërë përparim serioz, sidomos në vitin e fundit”.

Analisti Arjan Vasjari deklaroi se: Shqipëria në 4-vjecarin e fundit të qeverisjes së PD, nuk kishte dialog politik, nuk kishte bashkëpunim mes politikës. Në dhjetor, nëse do të ishim koherent, në dhjetor ne kishim plotësuar të gjitha kushtet, nuk e morëm dhe thelbi është që duhet të ndryshojë mënyra e të bërit politikë këtu.

Edhe Ministrja Gjosha vlerësoi rëndësinë e dialogut mes klasës politikes, sidomos në këtë fazë që ndodhet vendi. Ndër reformat e rëndësishme që ka nisur kjo mazhorancë është edhe ajo e reformës administratio-territoriale, të bojkotuar deri më tani nga opozita.

“Opozita duhej të ishte në tryezë dhe do të ishte shumë mirë. Opozita të paraqesë qendrimet e saj, por kur refuzon është humbje, jo vetëm për opozitën, por edhe për reformën që do t’i rrijë vendit gjatë. Ndarja territoriale do të shkojë shumë gjatë dhe nuk është tekë e mazhorancës, por ka ardhur si domosdoshmëri e asaj që po ndodh në territor”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Një ndër vendet që tërthorazi paralajmëroi bllokimin e statusit të vendit kandidat ishte Çekia për shkak të konfliktit me CEZ. Por në të njëjtën periudhë qeveria shqiptare dhe kompania çeke gjetën një marrëveshje, ku CEZ Shpërndarje rikthehet në pronësi të shtetit me koston prej 95 milion euro. A është kjo shumë çmimi i statusit? Çmimi i integrimit?

Ekonomisti Adrian Civici vlerësoi: “Mund të jetë e rastësishme, por mendoj që duke patur parasysh mënyrën se si merret vendimi, natyrisht këtë radhë u duk që “po”-ja e Çekisë mund të ishte e kushtëzuar nga mënyra se si do të zgjidhej CEZ-i. Çekia u deklarua direkt që nuk donte të kishte probleme të hapura me Shqipërinë dhe natyrisht që kjo është goxha kosto. Por mendoj që kosto të kësaj natyre janë të pranueshme, sepse duke e ditur që pas kuintave politike qendrojnë interesa ekonomike dhe financiare dhe ne duhet të mësohemi me këtë lloj logjike. BE është një grup interesash të përbashkëta dhe ne duhet të bashkojmë interesat tona me ta”.

Ministri Ahmetaj shtoi: “CEZ është një problem i trashëguar. Përplasja mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it, është i trashëguar. U gjet një situatë në kaos dhe pragfalimentimi dhe mundësitë për të fituar në arbitrazh i kishim afër zeros dhe këtë e thonë zyrtarët juridikë që ka patur qeveria dhe vetëm për faktin e thjeshtë…e mbani mend kur policia është futur me forcë në një stacion? Po në cilin vend demokratik ndodh kjo? Për mua kjo nuk është kosto, por një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me sektorin energjitik”.

Lutfi Dervishi tha se rasti i CEZ duhet të hetohet për të mos u përsëritur: “Këtu del sikur çekët kanë dalë me humbje, por këtu çekët gjatë kohës së menaxhimit kanë dalë me fitime, janë bërë ca akrobacira me shitjen e cmimit nga KESH tek CEZ që duhen hetuar për të mos u përsëritur më”.

Ministrja e Integrimit, Gjoshaj mohoi të ketë patur kërkesë zyrtare nga Praga që të lidhte votën e saj me zgjidhjen e konfliktit me CEZ. “Nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga Çekia që të kushtëzonte dhënien e statusit me zgjidhjen e konfliktit me CEZ. Madje ka patur një reagim të fortë nga vendet anëtare që të mos kushtëzohej dhënia e statusit me CEZ-in. Megjithatë qeveria shqiptare bëri një marrëveshje të mirë në favor të vendit dhe sektorit energjitik”, tha ajo.

Edhe Adrian Civici tha se “e rëndësishme është që u dha një zgjidhje sepse nuk mund të vazhdohej të rrezikohej të qendrohej në këtë status të CEZ”.

Për Ministrina Ahmetaj ajo që është më e rëndësishme dhe thelbësore është ajo që nis për këtë kompani, e cila ai u shpreh i bindur ngrihet brenda 2-3 vitesh. “Ajo që vjen tani është thelbësore. Kompania me një manaxhim shumë të mirë ringrihet me një vlerë të pastër brenda 2-3 vitesh”, tha ai.

Ministrja Gjosha iu rikthye kushteve të vendosura nga Brukseli për të nisur negociatat. “Nëse Shqipëria nuk do të përmbushë pesë kriteret ta kemi të qartë që është e pamundur të kemi hapjen e negociatave. Qeveria ka një plan me afate konkrete për të përmbushur. Një kërkesë është edhe dialogu me opozitën. Shpresoj që statusi të japë një mesazh që Shqipëria ka nisur rrugën e integrimit dhe opozita të jetë pjesë e tryezave të reformave”, tha ajo.

Në pjesën e tretë të ftuarin në panel folën për efektet ekonomike dhe politike që sjell marrja e statusit. Në fillim Ministrja Gjosha sqaroi se statusi nuk ndryshon rregullat e lëvizjes së kushtëzuar të shqiptarëve. “Shqiptarët duhet ta kenë të qartë që statusi nuk u jep mundësinë për të punuar në vendet e BE-së. Afatet e lëvizjeve nga regjimi i liberalizuar i vizave është i njëjtë, nuk ndryshon”, tha ajo.

Ndërkohë, Ministri Ahmetaj vlerësoi se statusi do të ketë ndikim në tërheqjen e investimeve të huaja. Por Analisti Lutfi Dervishi tha se investitorët e huaj tërhiqen nga politikat e qeverisë dhe jo nga statusi.

***

Emisioni nisi me komentet mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e paradites në zonën e ish-Bllokut në kryeqyteti, ku biznesmeni dhe bankieri i njohur, Artan Santo gjeti vdekjen në një ekzekutim të tipit mafioz. A është ky një sinjal të një përplasje të fortë me strukturave shtetërore dhe krimit të organizuar që mund të shkaktojnë viktima të tilla?

Ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj tha: “Përplasja me krimin në këtë vend do të jetë e vazhdueshme. Edhe polici i thjeshtë edhe oficeri i lartë kanë besim tek qeveria në luftën kundër krimit. Është tragjike që sapo kishim nisur një entuziazëm në të gjitha aspektet,besimi tek shtetit, tek policia, një mbarsje shumë pozitive e ekonomisë me shenja serioze rritjeje, një konsolidim i sistemit bankar i provuar edhe me stres-teste, pra një moment jashtëzakonsiht i mirë shoqëror, social ekonomik dhe politik. Sistemi bankar është i shëndetshëm nuk ka asnjë pikëpyetje për këtë. Banka e Shqipërisë është një nga institucionet më të përgatitura në rajon për cdo rast. BSH i ka paraprirë të gjitha llojeve të vështirësive në sistem duke përmirësuar edhe ligjin, jo më larg se dy vite më parë. Santo ka qenë një njeri i shkëlqyer. Shpresoj dhe besoj që institucionet do bëjnë punën e duhur për të identifikuar gjithë skenarin e asaj vrasjeje.

Vec dhimbjes për humbjen e mikut të tij, shokut të bankave shkollore Adrian Civici foli edhe për garancinë që ofron institucioni që Artan Santo drejtonte, para zyrave të të cilit u ekzekutua.

“Unë garantoj në të gjitha aspektet që nga të gjithë treguesit është një Credins është një nga bankat më të shëndosha në Shqipëri dhe pavarësisht humbjes njerëzore dhe problemeve që do të shkaktojë zëvendësimi i drejtuesit të saj, garantoj të gjithë klientët se janë të sigurtë. S’ka nevojë për panik. Përtej humbjes njerëzore që është shumë e madhe, jeta vazhdon dhe banka vazhdon aktivitetin e saj normalisht “, tha ai.

Analisti Lutfi Dervishi vlerësoi se: “Është një vrasje tipike e mafias dhe ata janë thjesht ekzekutorë në probabilitet të madh. Kemi parë që krimi nuk ka mëshirë dhe godet për të dhënë mesazhe të qarta. Kemi institucionet e brishta ende, për hir të së vërtetës. Përtej dhimbjes njerëzore është radha për të kapur ekzekutorët dhe për t’i shkuar më tej. Kjo është një shenjë jo e mirë, shenjë e keqe sepse është hera e parë që krimi godet një drejtor banke në gjithë tranzicionin shqiptar. Vrasje të tilla, në momentin që nuk zbulohen kanë potencial për t’u përsëritur. Nuk është hera e parë, është kthyer në një profesion të zi soja e vrasësit me pagesë, por mbërritja në këtë nivel është për t’u shqetësuar”.

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha shtoi: “Këto janë ngjarje të rënda për vendin dhe për personin dhe familjen e tij. Fatkeqësia më e madhe është që në Shqipëri ngjarjet e bukura nuk zgjasin shumë. Patëm marrjen e statusit, por që kjo ngjarje na ka bërë të rimendojmë edhe njëherë mënyrën se si do të funksionojë shteti.

Top Channel