Prokuroria rrëzon padinë e Pollos

16/06/2014 00:00

Prokuroria e Tiranes ka rrëzuar kërkesën e Genc Pollos dhe të disa deputetëve të opozitës në komisionin e medias dhe arsimit, për të quajtur të pavlefshëm memon e shërbimit të monitorimit në komisionin e Kuvendit.

Behët fjalë për atë Memo ku kërkohej zëvendësimi i tre anëtarëve dhe kryetares së Autoritetit të Medias Audiovizive, për të cilën konstatohej mbarimi i mandatit.

Pasi deputetët e opozitës depozituan një kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe për falsifikim të dokumentave ndaj një punonjëseje në shërbimin e monitorimit të Kuvendit, Prokuroria ka argumentuar se nuk është kryer asnjë vepër penale dhe se memot janë kryer në kohë të ndryshme.

Memoja e parë i përket muajit tetor të vitit 2013 dhe e treta marsit 2014, duke konstatuar edhe përfundimin e mandatit të anëtarit të katërt të AMA-s.

Për disa javë me rradhë komisioni i medias dhe arsimit është përfshirë nga debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës për vlerën ligjore të tre memove të cilat janë zhvilluar në kohë të ndryshme.

Deputetët e opozitës patën kërkuar që kjo çështje të shqyrtohej nga prokuroria më parë se të zhvillohej procesi i përzgjedhjes së kryetares dhe tashmë që prokuroria ka theksuar se nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe nuk ka asnjë motiv për nisjen e një procesi hetimi, duke hedhur poshtë të gjitha dyshimet, edhe ato ligjore edhe ato politike për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të ri të AMA-s.

Deri më tani zyrtarisht janë depozituar kandidaturat për anëtarë dhe komisioni po shqyrton çdo rast për të parë nëse aplikantët janë brenda kritereve të përcaktuara.

Top Channel