Greqi, vetëdorëzohet trafikanti shqiptar

16/06/2014 00:00

Një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i njohur, është vetëdorëzuar tek organet greke të policisë, duke pohuar se ka qenë pjesë e grupit të personave të arrestuar nga Departamenti i Antidrogës, të cilëve iu gjet dhe konfiskua dy ditë më parë sasia e madhe e drogës prej gati 1.3 ton heroinë, në disa zona të Atikës.

Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, të cilit i ishte çuar një sms në telefon nga një pjesëtar i grupit, dhe që kishte mundur të fshihej deri tani. Ai është dorëzuar në zyrat qëndrore të Marinës Detare në Pirè, sapo ka parë se është zbuluar dhe nuk mund t’i shpëtonte arrestimit.

Tashmë, në duart e organeve greke ndodhen 12 persona, që përfshihen në trafikimin e sasisë kolosale të heroinës, me vlerë gati 30 milionë euro.

Shtetasi shqiptar po hetohet, nëse ai është ndërmjetësi me dy kompani transporti, të cilat do të dërgonin drogën në Europë, në rrugë detare. Ndaj të gjithë të arrestuarve janë dhënë deri tani akuzat për shkeljen e ligjit të trafikimit të lëndëve narkotike, krijimi i një organizate kriminale, armëmbajtje pa leje dhe një sërë akuzash të tjera.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, operacioni për asgjesimin e këtij rrjeti duket se është shtrirë edhe në Belgjikë, në bashkëpunim me Interpolin, pasi një pjesë e mirë e heroinës së kapur do të çohej në Bruksel dhe më pas në qytete të tjera të Europës.

Top Channel