Na duhet të funksionojmë si agjenci për promovimin e Shqipërisë sidomos për çështjet e ekonomisë dhe bizneseve që mund të zhvendosen në Shqipëri. Kështu i është drejtuar ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Selanik.
Në një takim me ta, Veliaj diskutoi mbi problemet e tyre ndërkohë që shpjegoi se qeveria i përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm atyre që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë.
“Kemi zgjidhur problemin e toponimeve -tha ai, ndërkohë që po punohet për votën e emigrantëve”.
Ministri vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë në Selanik, të cilët kanë investuar në çështje të arsimit, kulturës dhe çështje të tjera sociale.
Nga ana tjetër, Veliaj kujtoi se Shqipëria është vendi më tërheqës në Ballkan për të investuar, ndaj duhet promovuar sa më shumë ndaj diaspora duhet të shërbejë si një agjent marketingu për investimet në Shqipëri.
Në takimin me emigrantët nuk u anashkalua çështja e transferimit të pensioneve të tyre, ku theksoi se pas mbylljes se negociatave me Kanadanë po fillojnë negociatat me Italinë dhe po bëhen përpjekje edhe për emigrantët në Greqi.
Top Channel