E kanë quajtur ‘Qyteti i Minatorëve’, por sot është një fshat thuajse i pajetë, pranë Drenovës. Mbi 300 familje, dikur i jepnin kësaj qyteze gjallëri, ndërsa tani heshtja është si një agoni e pandarë, që shtyn ditët rutinë.

Për vite të tëra, burrat që kanë jetuar këtu kanë punuar në minierë, ndërsa gratë në fermë, por tani mes ndërtesave uniformë sheh banorë, që ulen te pragjet e dyerve të menduar.

Pas viteve ’90, mbyllja e minierës solli edhe rrënimin ekonomik të familjeve, të cilat tashmë jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike.

Nuk mund të quhet fshat, sepse nuk ka as toka e as blegtori, e nuk mund të quhet më as qytezë. Banorët, ende pas kaq vitesh, e kanë të lehtë të kujtojnë se si, para se të mbyllej miniera, këtu gumëzhinte çdo banesë, ndërsa papunësia nuk dihej çfarë ishte.

“Tani, gjendja këtu është katandisur si mos më keq nga ana ekonomike. Njerëzit këtu rrojnë vetëm nëpërmjet ndonjë të ardhure nga emigracioni, apo nga ndihma sociale, ku marrin rreth 2 mijë apo 3 mijë lek (të reja), sipas primeve që kanë”, u shpreh një banor.

“Ne nuk kemi toka. Si kur punuam në Drenovë, edhe kur punuam në Korçë, neve s’na dhanë tokë, ndërsa të tjerëve po”, tha një banore.

“Ishte një qytet aq i mirë, sa që unë lash Korçën për të ardhur këtu. Ka pasur punë si minatore, në fermë, të gjitha të mirat, ndërsa tani është kthyer në një qytet, i thënçin, pasi është si një fshat i humbur fare”, tha një tjetër banore.

Ish-qyteti i minatorëve nuk është as 3 kilometra larg Korçës, por këtu e ardhmja duket e zymtë. I krijuar që në vitin 1952, qyteti i minatorëve tashmë është i zhytur në borxhe dhe njerëz që vetëm presin, ose mundohen të ikin në emigrim.

Top Channel