Rritet indeksi për klimën e biznesit

03/06/2014 00:00

Parashikimi i indeksit që mat vlerësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi klimën e biznesit në vend është rritur nga 40.21 % që ishte në vitin 2013 në 43 % për 2014-n.

Por disa nga problemet që shqetësojnë sipërmarrjet janë shkalla e lartë e informalitetit dhe klima politike konfliktuale në vend.

“Ka dy mënyra si të ulim përqindjen e ekonomisë informale dhe të rrisim atë formale. E para përmes rritjes së inputeve pra investimeve të huaja dhe ka shumë investitorë të huaj që duan të investojnë më shumë por janë frenuar nga koncensionet apo cështje të tjera. E dyta është rritja e shpejtësisë së qarkullimit të parave si përmes mikropagesave”, thotë Mark Crawford, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Konfliktualiteti ekstrem i luftës politike është një sinjal që nuk i bën mirë ekonomisë shqiptare, qoftë konsumatorin e frenon për të blerë, qoftë investitorin e frenon të investojë më tej, qoftë bankat janë më skeptikë në vlerësimin e biznes-planeve. Kështu që mendoj që një zbutje, një kthim në një retorikë normale të debatit politik në vend do të ishte një sinjal i mirëpritur nga biznesi”, thotë Edmon Leka, sipërmarrës.

Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu tha se për të rritur investimet nevojitet transparencë dhe rregulla të qarta për biznesin.

“Duhet rritje e punësimit përmes rritjes së investimeve të huaja përfshirë investimet amerikane, bazuar në perceptimin se Shqipëria është bërë një vend më i mirë për të bërë biznes. Kjo si rezultat i një transparence më të madhe, qartësie me kontratat, më shumë respekt për kontratat ekzistuese e nëse këto hapa adresohen ju do të shihni rezultate”, tha ambasadori Arvizu.

Duke dhënë rezultate konkrete përmes shifrave, kryeministri Edi Rama tha se vendi tashmë është në një fazë të re sa i përket luftës kundër informalitetit dhe korrupsionit.

“Një vit më parë 10 përqind të të ardhurave të buxhetit nga biznesi, e zinin gjobat, këtë vit kjo shifër është shumë më e ulët. Ka një rritje të vazhdueshme të të ardhurave nga tatimi i vlerës së shtuar që do të thotë luftë informalitetit dhe luftë korrupsionit. Deri dje këto shifra nuk ishin të paarritshme, por nuk arriheshin sepse preferoheshin paratë nën dorë. Ne kemi ndërtuar një sistem që është i kontrolluar nga brenda dhe që e bën shumë më të vështirë blerjen e heshtjes apo symbylljes së agjentëve tatimorë”, tha Rama.

Top Channel