Rregull fiskal për borxhin publik

02/06/2014 00:00

Qeveria ka deklaruar për herë të parë publikisht, se do të nisë hartimin e një rregulli fiskal, për të mos lejuar rritjen e borxhit publik.

“Konkretisht së shpejti do të fillojmë me një diskutim të gjerë për futjen e një rregulli të ri fiskal, për të ankoruar më mirë pritshmëritë e tregjeve dhe bizneseve. Rregulli fiskal do të disiplinojë politikën fiskale në funksion të qendrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe kryesisht të borxhit publik”, u shpreh Shkëlqim Cani, ministër i Financave.

Por, miratimi me ligj i një rregulli, që do të frenonte qeverinë të rrisë borxhin, kërkon më parë disiplinimin e dy sektorëve, që kërcënojnë stabilitetin financiar të vendit: pensionet dhe sektorin energjetik.

“Më shqetësuese dhe më problematike, më e thellë dhe më me dhimbje, natyrisht që do të jetë reforma në energjitikë”, shtoi më tej ministri Cani.

Këto deklarata, ministri i Financave i lëshoi në një takim me ekspertë të Bankës Botërore, të cilët kanë prezantuar rezultatet e një studimi të detajuar mbi financat publike të Shqipërisë. Sipas tyre, zgjidhja e krizës së energjisë është kritike për qëndrueshmërinë financiare të vendit.

“Nëse nuk bëhet asgjë në afatmesëm, borxhi publik qëndron në rreth 76 përqind e Prodhimit Kombëtar sipas skenarit bazë. Por nëse në të përfshihen dhe rreziqet, që mund të vijnë nga sektori energjetik, ai mund të shkojë deri në 83 përqind. Pra, pa ndërhyrje, borxhi publik është i paqëndrueshëm. Por, reformat në pensione, ndërhyrjet që u bënë në taksa dhe reforma e energjisë, mund ta vendosin atë në një trajektore të qëndrueshme në rënie”, tha Abebe Adugna, kryeekonomist për Europën dhe Azinë, nga Banka Botërore.

Vendosja e një rregulli fiskal është kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët, por edhe Banka e Shqipërisë, për të mbrojtur financat publike të vendit.

Top Channel