Dogana, tjetër muaj me realizim

02/06/2014 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportoi një tjetër muaj me ecuri pozitive në mbledhjen e të ardhurave për buxhetin.

Të dhënat e bëra publike nga ky institucion tregojnë se për muajin që sapo kaloi u mblodhën rreth 11.7 milionë dollarë më shumë se maji i vitit të kaluar, duke tejkaluar edhe planin e përcaktuar nga qeveria.

Rezultatet e muajit maj, sipas doganave, vazhdojnë tendencën e nisur që në fillim të vitit. Sipas shifrave për periudhën janar-maj, administrata doganore ka mbledhur 52.7 milionë dollarë më shumë se vjet, me një rritje prej 10.4 për qind.

Sipas shifrave, gjatë kësaj periudhe ka rritje në zhdoganimet e karburanteve, por edhe mallrave të tjera me peshë kryesore tek të ardhurat.

Paralelisht, sipas doganave, të dhënat e pesë muajve të parë të këtij viti dëshmojnë sinjale pozitive edhe në kahun tjetër të lëvizjes së mallrave, atë të eksporteve.

Shifrat tregojnë se për periudhën janar-maj, eksportet janë rritur në total me rreth 9 për qind, ku rritja më e fortë me 33 për qind është shënuar në eksportet në regjimin e përpunimit aktiv, pra industrisë së fasonit, e cila edhe sipas INSTAT rezulton në ngritje të forte këtë vit.

Drejtoria e Doganave thotë se këto rezultate janë dëshmi e reformave të ndërmarra gjatë muajve të fundit në këtë instutucion, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Top Channel