BB: Mbështjetje historike Shqipërisë

02/06/2014 00:00

Zëvendës/presidentja e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Laura Tuck, deklaron në një intervistë për Top Channel se mbështetja me fonde për Shqipërinë do të jetë në nivelet më të larta historike, edhe vitin e ardhshëm.

“Këtë vit, ne po akordojmë 305 milionë dollarë, që është shuma më e madhe në histori, që ne kemi dhënë ndonjëherë brenda një viti të vetëm, për Shqipërinë. Vitin tjetër, ne mendojmë se do të bëjmë gjithashtu diçka të ngjashme, në këto nivele. Kemi 275 milionë dollarë të tjera duke përgatitur dhe këtu përfshihet një kredi prej 150 milionë dollarësh për sektorin energjitik dhe operacione në shëndetësi, mjedis, por edhe transport”, tha zv/presidentja Tuck.

Shqipëria tentoi që në vitin 2010 të merrte kredi të lira nga Banka Botërore, për të financuar buxhetin. Në atë kohë pati dhe negociata, të cilat dështuan. Zyrtarja e lartë e Bankës shpjegon arsyet se pse.

“Për ne, që të japim mbështetje buxhetore, duhet që qeveria të ketë një kuadër të qartë makroekonomik e fiskal, dhe të jetë e angazhuar plotësisht për ta zbatuar atë. Në të kaluarën, kjo disa herë ka ekzistuar, ndërsa herë të tjera jo. Tani ne besojmë se qeveria e re ka përcaktuar programin e nevojshëm të reformave dhe përmbush kushtet tona për mbështetje. Kjo na dha mundësinë që ta bëjmë atë të mundur këtë vit, duke shpresuar se vitin tjetër do të bëjmë edhe më shumë”, theksoi zv/presidentja Tuck.

Kreditë e Bankës janë të kushtëzuara me një sërë masash, që qeveria duhet të ndërmarrë në ekonomi. Sipas zv/presidentes Tuck, dalja e vendit nga kriza do të varet nga suksesi i tyre.

“Të gjitha vendet në Europë u prekën nga kriza. Shqipëria gjithashtu. Ashtu siç ju e përmendni, ajo ka qenë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë para krizës. Unë besoj se e ka mundësinë të rikthehet. Por, që kjo të ndodhë, duhet që qeveria t’u japë zgjidhje një sërë çështjeve delikate, si energjia, reforma e pensioneve. Do t’i duhet të zgjidhë përfundimisht mospagesat ndaj biznesit, të nisë konsolidimin fiskal dhe t’u përgjigjet shumë sfidave në sektorin financiar. Nëse këto çështje marrin zgjidhje siç duhet, unë besoj se Shqipëria mund t’i rikthehet normave të shpejta të rritjes ekonomike, ashtu si dekadën e kaluar”, përfundoi zv/presidentja e Bankës Botërore.

Top Channel