Basha, marrëveshje për punësimin

31/05/2014 00:00

Bashkia e Tiranës ka firmosur pasditen e së shtunës një marrëveshje me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, çka i garanton një prurje prej 1 milion dollarësh.

Kjo shumë ka si synim fuqizimin e bizneseve të vogla e të mesme e rrjedhimisht, siç tha kreu Basha, rritjen e punësimit. Duke vlerësuar rezultatet e arritura sipas tij nga Bashkia e Tiranës, ai thumboi edhe qeverisjen qendrore.

“Ku ka vizion për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe punësimin ka edhe mënyra. I ka këto mënyra edhe Bashkia e Tiranës me një buxhet prej 80 milionë dollarë në vit dhe ndikon vetëm 1 milion në fondin e garancive. Duket pak, por nëse do ta krahasonim me qeverisjen qendrore, do t’i binte që kjo e fundit të dedikonte 500 milionë dollarë, nëse bëjmë krahasimin proporcional. Mirë do ishte sikur të vinte në dispozicion edhe një të dhjetën e kësaj shume”, deklaroi Basha.

Basha takon delegacionin e BB

Kryetari i Partisë Demokraitke Lulzim Basha
priti delegacionin e Bankës Botërore, të kryesiruar nga Zëvendës
presidentja për Europën dhe Azinë Qendrore. Basha ndau me ta shqetësimin
e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për
mungesën e  transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mos
sundimi i ligjit.

Megjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu Basha informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit nga ana e qeverisë dhe moszbatimi i vendimit të gjykatave.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan shkëmbimin e informacionit dhe pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me Partinë Demokratike.

Top Channel