Në luftë me ekonominë informale

30/05/2014 00:00

Qeveritë e katër shteteve të rajonit; Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi; zotohen për bashkërendimin e aktiviteteve me qëllim zvogëlimin e ekonomisë informale dhe rritjes ekonomike.

Në konferencën rajonale me temën “Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe bashkimi i përpjekjeve kundër ekonomisë jo formale”, që po zhvillon punimet në Prishtinë, kryeministri në largim Hashim Thaçi shtroi nevojën për t’u angazhuar, që ekonomia jo formale të zvogëlohet brenda një periudhe afatmesme.

“Vendet e rajonit janë zotuar për të punuar së bashku dhe për t’i adresuar sfidat që kemi përpara, si dhe për të promovuar rritjen e zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë, në Kosovë dhe rajon”, tha ai.

Për ministrin shqiptar të Financave, Shkëlqim Cani, vendet e Europës këtë çështje e kanë zgjidhur prej kohësh, prandaj – siç tha ai – rajoni duhet të shpejtojë përpjekjet për ta luftuar këtë dukuri.

Edhe ministrat e Financave të Malit të Zi dhe Maqedonisë u pajtuan se duhet një bashkëpunim më i madh në luftimin e ekonomisë jo formale dhe evazionit fiskal, përfshirë shkëmbimin e informacioneve mes vendeve.

Ministrat e qeverive të rajonit premtuan se do të bëhet harmonizimi i legjislacionit dhe, njëkohësisht, institucionet tatimore do të shkëmbejnë informacione e do të përcjellin më mirë transferimin e mallrave, që nuk regjistrohen në dokumente zyrtare, dhe që bashkarisht të reagojnë ndaj rreziqeve.

Top Channel