‘Star Tobacco’ interesohet për Shqipërinë

29/05/2014 00:00

Një kompani e njohur ndërkombëtare ka në plan të rigjallërojë prodhimin e duhanit në Shqipëri, një industri prej vitesh në vështirësi të thellë. Ekspertët e ‘Star Tobacco International’ prej 6 muajsh ndodhen në Shqipëri për të studiuar tregun dhe kontaktuar me fermerët.

“Ne kemi vizituar disa ferma, kryesisht në rajonin e Shkodrës. Kemi parë që fermerët kanë vështirësi të shesin duhanin, më së shumti për shkak se ai është i papërpunuar. Ajo që kemi në plan është ndërtimi i një fabrike në Shqipëri, përmes të cilës të përpunojmë duhanin e prodhuar nga fermerët këtu, që të arrijë standardet ndërkombëtare. Ta paketojmë më mirë dhe ta eksportojmë kryesisht në tregjet aziatike. Ka kërkesë për duhan shqiptar në tregjet aziatike”, deklaron Iqbal Lambat, drejtor ekzekutiv i ‘Star Tobacco’.

Drejtuesit e kompanisë thonë se Shqipëria mund të rikthejë nivelet e dikurshme në prodhimin e duhanit, që sipas tyre do krijonte mijëra vende të reja pune, por edhe miliona euro të ardhura nga eksporti.

“Historikisht Shqipëria ka prodhuar rreth 15 mijë tonë duhan në vit, i cili mbante në punë afro 45 mijë fermerë. Sot prodhimi ka rënë në 6 mijë tonë. Ne synojmë ta çojmë sërish në 15 ose 20 mijë tonë dhe vetëm kjo do të krijonte 60 mijë vende të reja pune, duke sjellë edhe më shumë të ardhura nga eksporti”, nënvizon Lambat.

‘Star Tobacco International’ operon kryesisht në tregjet azitiake dhe ato europiane, duke tregtuar duhanin e përpunuar tek kompanitë e mëdha prodhuese të cigareve.

Top Channel